Lajme

“Toyota Yaris”, Basha: Iu dhashë prova të plota prokurorëve belgë

Menjëherë sapo ka përfunduar marrja në pyetje nga prokurorët belgë për çështjen “Toyota Yaris”, kryedemokrati Basha në një prononcim për mediat u shpreh se ka dhënë informacione të plota lidhur me këtë çështje.
Pa dhënë asnjë detaj rreth asaj që kishte dëshmuar para prokurorëve, sipas Bashës ai që duhet të ishte në burg është Taulant Balla.
“Dhashë informacionet që kisha për këtë çështje. Edhe më shumë se kam bërë të njohura në publik. Sot në pranga duhet të ishte Taulant Balla”, u shpreh kryedemokrati Basha.
Basha më tej e vuri theksin te pastrimi i parave si një ndër problemet më të mëdha të shtetit shqiptar.
“Pastrimi i parave të drogës dhe krimit është rreziku kryesor që i kanoset sot Shqipërisë. Është rrezik politik, ekonomik, shoqëror dhe për stabilitetin e vendit. Edi Rama dhe qeveria e tij janë vënë në shërbim të pastrimit të parave të pista të krimit”, vijoi më tej Basha.
Gjatë deklaratës, lideri demokrat nuk anashkaloi as projektet e qeverisë për kryeqytetin të cilat i cilëson si kriminale.
“Të gjitha koncesionet dhe projektet e qeverisë janë pastrim parash të drogës dhe të krimit. Projekti i stadiumit është pastrim parash. Projekti i teatrit është pastrim parash. Projekti i Unazës është pastrim parash”, tha Basha.
Kryedemokrati Lulzim Basha u paraqit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, që në orën 9:00 ku u pyet për një çështje të nxehtë, siç është ajo e ‘Toyota Yaris’.
Basha u pyet nga një gjyqtar dhe një prokuror belg dhe të pranishëm kanë qenë edhe dy hetues belgë. Prokurorja e çështjes në fjalë ishte Doloreza Musabelliu.
Më herët, kryetari i opozitës ishte shprehur i gatshëm për të ndihmuar me informacionet që disponon në zbardhjen e lidhjeve kriminalo-politike, në aferën e pastrimit të miliona eurove.
Aksioni për bllokimin e sasive të eurove u finalizua më 24 qershor të vitit të kaluar, ndërsa eurot me prerje të ndryshme ishin fshehur në një makinë tip “Toyota Yaris” pa targa.
Lideri demokrat, Lulzim Basha ishte personi që denoncoi në Kuvend çështjen e ‘Toyota Yaris’.
Për këtë ngjarje janë arrestuar 4 persona dhe dy janë shpallur në kërkim kushërinjtë Alfred e Elvis Vladi për të cilët dyshohej se ishin personat që kanë porositur makinat ‘Toyota Yaris’. Ndërkohë, katër të arrestuarit në Shqipëri janë Edi Lika, Klevi Lika, Agim Ceka dhe Alban Mollaymeri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë