Politike

Topalli: Sa më shumë rritet pakënaqësia ndaj Ramës, aq më shumë bie Basha

Jozefina Topalli, ish-nënkryetare e PD-së prej dy dekadash, thotë se, “të dalësh me ofertë ose Ramën ose Bashën me Kryemadhin dhe Metën bashkë, është gjëja më e pamerituar për shqiptarët pas 3 dekadash, (ku emrat e mësipërm kanë pasur çdo pozicion qeveritar)”.

“Një vend që ka 40 % varfërinë  ekstreme dhe ka udhëheqës politik njerëz që menaxhojnë PPP dhe vila luksoze  edhe në vitin elektoral është një rast guiness. Në çdo vend të botës problemi është qeveria. Në rastin tonë përsëri bëjmë përjashtim. Tek ne përveç qeverisë dhe skandaleve e korrupsionit pa kufi të saj, është problem vetë drejtuesi i opozitës”, shkruan ajo.

Topalli e ka të drejtpërdrejtë kritikën për Lulzim Bashën.

“Njeriu që shkatërroi opozitën dhe e përgjysmoi në numra në mandatin e parë; që i dhuroi qeverisë të gjitha mandatet e deputetëve opozitarë; që i fali të gjitha këshillat bashkiak e bashkë me ta të gjitha bashkitë në mandatin e dytë; ai, që për 8 vite nuk rreshti duke thënë se nuk ka zgjedhje me Edi Ramën e që tani po hyn si pa të keq në zgjedhje pikërisht me ER, është rasti politik më i çuditshëm në botë... Sa më shumë rritet pakënaqësia ndaj ER (Edi Rama) aq më shumë bie edhe Lulzim Basha”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë