Futboll

Toni Kros reagon me sarkazëm pas vërshëllimave të arabëve: Turmë e mrekullueshme!

Gazeta Si – Mesfushori gjerman i Real Madridit u vërshëllye nga tifozët arabë për shkak të deklaratave të tij për çështjen ‘Gabri Veiga’. Ai ka reaguar në stilin e vet në rrjetet sociale, ku shkruan: "Ishte argëtuese”.

Polemika mes Toni Kros dhe publikurt arab. Gjermani nuk u prit mirë, u vërshëllye në momentin e hyrjes në fushë gjatë ndeshjes Real Madrid-Atletiko Madrid, gjysmëfinalja e parë e Superkupës së Spanjës, që po zhvillohet këto ditë në Arabinë Saudite.

Tifozët sauditë nuk i kanë harruar kurrë deklaratat e Kros pas trasferimit në Arabi të Gabri Veigas (që në verë zgjodhi Al Ahli pas dy sezonesh te Celta Vigo). Mesfushori e quajti pa sens atë lëvizje.

Pasi hyri në fushë në vend të Modriç, Kros u vërshëllye gjithë kohën nga tifozët vendës, ndërsa Reali fitoi në shtesë dhe kaloi në finale. Pas ndeshjes Kros vendosi të hiqte ndonjë ‘gur nga këpucët’, duke përdorur armën e sarkazmës. "Ishte një mbrëmje argëtuese! Turmë e mrekullueshme”, - ishte mesazhi i gjermanit në rrjetet sociale, i shoqëruar nga një emoji me sytë në formë zemre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë