Futboll

Tonali akuzohet edhe nga Federata Angleze për baste, rrezikon një tjetër dënim

Gazeta Si – Sipas Federatës Angleze të Futbollit, ish-lojtari i Milanit ka shkelur rregullat mbi bastet edhe 50 herë të tjera, pasi ishte transferuar te Njukastëlli.

Telashe të reja për mesfushorin italian, Sandro Tonali. ‘Football Association’ ka bërë me dije se ai akuzohet për sjellje jokorrekte, konkretisht shkelje të mundshme të rregullave të basteve. Federata dyshon se Tonali ka vënë baste për ndeshje futbolli (50 herë mes 12 gushtit dhe 12 tetorit 2023) edhe pas kalimit në Premier Ligë në fillim të korrikut.

Lojtari, për bastet që kishte vënë në Itali, bëri një pakt me Federatën italiane për një dënim 18-mujor, nga ta cilët 10 skualifikim dhe 8 shlyerje alternative. Tani italiani rrezikon edhe një tjetër dënim.

Që pas dënimit të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), FA kishte hapur një hetim për të qartësuar, nëse Tonali kishte vazhduar apo jo me atë sjellje edhe te Njukastëlli.

Datat e përmendura në komunikatën ku njoftohen akuzat ndaj Tonali nuk janë të rastësishme: 12 gushti koinçidon me javën e parë të Premier Ligës, kurse 12 tetori është dita kur mesfushori, bashkë me Xaniolon, u detyruan të linin grumbullimin e kombëtares, pas lajmeve të Fabricio Koronës për përfshirjen e lojtarëve në baste. Ishte shpërthimit të çështjes ‘Faxholi’.

Njukastëlli ka dalë në mbështetje të futbollistit pas lajmit të FA-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë