Libra

“Tokë e premtuar” në shqip, Dudaj: Obama, detajist

Libri shumë i pritur dhe shumë i përfolur “Tokë e Premtuar” nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ka ardhur tashmë edhe në shqip nga shtëpia botuese “Dudaj”.

Në Amerikë hyri në top listën e librit më të shitur në memorien presidenciale.

Shtëpia botuese “Crown” do të njoftonte në dhjetor të 2020-s se “Toka e Premtuar” kishte arritur 3.3 milionë shitje në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Libri i shkruar nga ish-presidenti i Amerikës e që përbrenda saj ka kujtime të tij, është pritur mjaft mirë edhe në vendin tonë që kur iu shtua librarive të kryeqytetit në versionin anglisht, duke pasqyruar kështu dëshirën e lexuesit shqiptar për të hyrë në botën presidenciale amerikane.

“Ky është një libër që na ecur mjaft mirë, e ka pasur shumë interes nga lexuesit tanë, sidomos ditët e javët e para kur u botua. Interesi për këtë libër vazhdon të jetë i mirë, edhe pse ka dalë tashmë botimi në shqip”, thonë punonjësit e Librarisë Adrion për Gazetasi.al.

“Toka e Premtuar”, i pari nga dy vëllimet e planifikuara, diskuton zgjedhjen e Obamës si president në vitin 2008, mandatin e tij të parë si dhe reflektimet e tij mbi ngritjen e Trump.

Por sa e vështirë ka qenë për ta sjellë në shqip këtë libër? Botuesja Arlinda Dudaj tregon për Gazetasi.al për sipërmarrjen e shtëpisë botuese për ta sjellë në shqip dhe ritmet me të cilat kanë punuar.

“Ishte një sipërmarrje shumë e bukur, natyrisht e lodhshme, - thotë Dudaj. – Kemi punuar me një ritëm të çmendur për ta sjellë sa më shpejt në shqip, duke pasur parasysh që punoi vetëm një përkthyes, ndërkaq në gjuhë të tjera është përkthyer edhe nga 5 duar. Për ta marrë të drejtën na u dha prioritet pasi ne kemi botuar edhe dy libra të tjerë të Obamës, i pari madje kur ai nuk qe bërë ende president”.

Dudaj sqaron se libri ka ardhur në shqip nën përkthimin e Alken Myftiut, duke shtuar se ka bërë një punë të paimagjinueshme.  

Botuesja Arlinda Dudaj

“Libri është redaktuar nga Nexhat Myftiu dhe unë, por merita kryesore i takon përkthyesit Alken Myftiut, i cili e ka pajisur librin gjithashtu me shënime shumë të vyera, të cilat na bëjnë të kuptojmë shumë gjëra të kontekstit amerikan”.

Krenare që ka nxjerrë një vepër kaq të madhe, për të ky libër “është celebrimi i diçkaje për të cilën është punuar me muaj të tërë me përkushtim”.

Ndonëse aty përfshihet rrëfimi i Barack Obamës për kohën kur ishte president në Shtëpinë e Bardhë dhe  momentet kryesore në presidencën e tij, për botuesen Dudaj libri i shërben gjithkujt.

“Ky libër i shërben gjithkujt pa asnjë përjashtim. Ky libër i shërben historisë e atyre që janë të interesuar ta njohin atë, politikës, të rinjve e së mirës në përgjithësi. Ky libër të mbush çdo rrëzë të ndërgjegjes dhe të jep shumë përgjigje”, vijon më tej Dudaj.

Duke na ftuar që ta lexojmë, ajo vë në pah se libri në vetvete ka shumë detaje dhe se vetë Obama është shumë detajist.

“Obama është nga natyra shumë detajist. Mua personalisht më kanë pëlqyer pjesët kur flet për vizitat presidenciale në vende të ndryshme dhe përshkruan kulturat e tyre. Dhe kur përmend librat që ka lexuar dhe që e kanë frymëzuar. Por dua të them që ky është një libër që i ka brenda të gjithë përbërësit që mund të ketë një libër i mirë”, përfundon botuesja Dudaj për Gazetasi.al.

Libri me kujtimet 768 faqe të Obamës u botua vetëm dy javë pas ditës së zgjedhjeve në SHBA dhe u kthye në  titujt kryesorë të mediave ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë