Treg

Tkurren ndjeshëm eksportet në mars. Grupet kryesore me ecuri negative

Nga Gazeta 'Si' - Eksportet kanë shënuar rënie të ndjeshme në muajin mars duke arritur vlerën e 42 mld lekëve.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit më parë, ata janë ulur me -11.7% ndërsa krahasuar me shkurtin janë rritur me 9.8%.

Për tremujorin, eksportet e mallrave arritën në vlerën 123 mld lekë, duke u rritur me 2.1 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Grupet më të mëdha po shfaqin ecuri të dobët, ndërsa produktet bujqësore dhe industria automotive po mbajnë ritmet.

Gjatë marsit në uljen e eksporteve kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -8.6 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -4,.8 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me -0.6 pikë përqindje.

Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me 1.6 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 0.8 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me 0.2 pikë përqindje.

Industria automotive, me rritjen më të lartë

Eksportet e Makineri, pajisje, pjesë këmbimi janë grupi që po shënon ecurinë më të mirë të eksporteve.

Në mars, eksportet u rritën me 12%, duke udhëhequr dhe zgjerimin në vlerë. Industria automotive parashikonte në fund të vitit 2022 ecuri pozitive të sektorit për vitin 2023.

Ulet deficiti tregtar

Në këtë tremujor eksportet e mallrave arritën vlerën 123 mld lekë, duke u rritur me 2.1%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 208 mld lekë, duke u rritur me 0.4%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 86 mld lekë, duke u ulur me 1.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.

Bien eksportet drejt Italisë, rriten me Spanjën

Gjatë marsit vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar janë: Kosova (2.0%), Greqia (28.0%) dhe Spanja (170.5%). Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Italia (17.5%), Gjermania (17.0%) dhe Kroacia (22.1%).

Gjatë këtij tremujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kosova (2.5%), Greqia (66.4%) dhe Maqedonia (47.8%). Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Italia (8.5%), Gjermania (21.8%) dhe Kina (49.0%).

Vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të importeve gjatë marsit janë: Kina (2.8%), Gjermania (2.5%) dhe Zvicra (335.1%).

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me marsin e shkuar janë: Italia (1.5%), Turqia (22.4%) dhe Greqia (25.5%).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë