Rend dhe Ligj

Si u tjetërsuan 448.000 m2 tokë shtet me dokumente false. Arrestohen 5 persona, mes tyre ish-kreu i Kadastrës Durrës dhe ish-kandidati për kreun e PS

Gazeta Si - Pesë persona janë arrestuar, mes të cilëve dhe ish-zyrtarë lokalë në Durrës, ndërsa dy të tjerë janë në kërkim, pasi akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tjetërsuar përmes dokumenteve të falsifikuara një tokë-shtet me sipërfaqe 448 mijë metër katrorë në favor të privatit.

Nga kjo sipërfaqe 151.000 m2 është pranë Universitetit "Aleksandër Moisiu", aty ku do të ndërtohet Akademia Sportive "Manchester Citty".

Në pranga ka rënë dhe ish-drejtuesi i Kadastrës së Durrësit, Leonard Kadrimi dhe ish-kandidati për kreun e PS në Durrës, Ardit Kërtusha, të cilit para dy vitesh iu bë një atentat. Policia thekson se në kërkim është shpallur ish-juristi i Kadastrës së Durrësit dhe person tjetër.

Ish-zv drejtori i Kadastrës së Durrësit, Leonard Kadrimi dhe juristi Mikel Zaho (në kërkim)

Bëhet fjalë për 20 tituj pronësie me sipërfaqe në total 448 mijë metra katrorë të cilat deri në vitin 2018 kanë qenë në pronësi të shtetit, por më pas janë tjetërsuar në mënyrë të kundraligjshme në favor të privatit.

Prokuroria thotë se me "veprimet e tyre këta punonjës të shtetit duke shpërdoruar detyrën kanë sjellë si pasojë zhveshjen nga pronësia e këtyre sipërfaqeve toke që i përksinin shtetit shqiptar dhe kalimin e tyre personave pa të drejtë".

Me kërkesë të Prokurororisë së Durrësit, gjykata e këtij qyteti ka firmosur sekuestro preventive.

"Nga hetimet e prokurorisë, rezulton se ekzistojnë dyshime të bazuara në prova se nga ana e personave të ndryshëm, me anë të dokumentacioneve të falsifikuara si dhe punonjësve të ASHK-së, janë kryer veprime/mosveprime të cilat kanë sjellë tjetërsimin e 448,000 m2 tokë nga pasuri e në pronësi të shtetit shqiptar në pasuri të individëve. Nisur nga ky fakt, ka dyshime se nga ana e personave akoma të paidentifikuar janë konsumuar veprat penale të parashikuara nga nenet 143/3 e 25, 186, 248, 287 dhe 287/b të K.Penal duke sjellë pasoja të rënda, pra tjetërsimin e një sipërfaqe toke në total prej 448,000 m2, e cila ndodhet në Zonën Kadastrale nr.8517, Durrës" informoi sot prokuroria e Durrësit.

Policia thotë se në kuadër të operacionit "Tjetërsimi" u arrestuan: Lirim Xhameta, Dashnor Taulla, Ardit Kërtusha, Leonard Kadrimi dhe Gjovalin Ndoci.

Ardit Kërtusha, ish-kandidati për kreun e PS në Durrës, një prej të arrestuarve

Operacioni

Gjatë këtij operacioni, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Durrësit, për shtetasit: 

Lirim Xhameta, 58 vjeç dhe Dashnor Taulla, 61 vjeç, të dy banues në Durrës, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”; 

Ardit Kërtusha, 33 vjeç dhe Gjovalin Ndoci, 44 vjeç, të dy banues në Durrës, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”; 

Leonard Kadrimi, 35 vjeç, banues në Durrës, ish-drejtor i ASHK Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës.

Në vijim të veprimeve procedurale janë shpallur në kërkim shtetasit: 

M. Z., 46 vjeç, banues në Durrës, ish-jurist i ASHK Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

K. K., 65 vjeç, banues në Durrës, “Mashtrimi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. 

Akuzat

Ardit Kërtusha, së bashku me ish-drejtorin e Hipotekës së Durrësit, Leonard Kadrimi dhe një zyrtar tjetër me inicialet M. Z., në kërkim, dyshohet se duke shpërdoruar detyrën në ASHK Durrës, kanë lehtësuar tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme, bën të ditur Prokuroria.

Ata akuzohen se kanë tjetërsuar 448 mijë metra katrorë tokë shtet në favor të privatit. Bëhet fjalë për 20 tituj pronësie me sipërfaqe në total 448 mijë metra katrorë, të cilat deri në vitin 2018 kanë qenë në pronësi të shtetit, por më pas janë tjetërsuar në mënyrë të kundraligjshme.

Duke qenë se bëhet fjalë për objekte të cilat mund të vijojnë të tjetërsohen, për të parandaluar pasojat e tjera të mundshme që mund të vijnë nga shitja e tyre ose dhe kryerjes së veprave të tjera penale, nga ana e prokurorisë dhe gjykatës u vleresua se duhet të vendoset sekuestro preventive mbi ta.

Skema

Sipas burimeve, nga tjetërsimi i dokumenteve ka përfituar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe toke rreth 75 000 m2 Lirim Xhameta, ndërsa Dashnor Taulla, ka përfituar një tokë prej 76 000 m2.

I ndaluari tjetër, Ardit Kërtusha dhe Leonard Kadrimi, i cili ka mbajtur më parë edhe postin e zëvendës drejtorit të Kadastrës së Durrësit, kanë lehtësuar tjetërsimin e pasurisë të paluajtshme, duke shpërdoruar detyrën.

Ish-drejtori i Kadastrës Leonard Kadrimi në bashkëpunim me dy juristët A.K dhe M.Z me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kanë sjellë fillimisht krijimin e lehtësirave dhe më pas tjetërsimit e plotë të këtyre pasurive.

Konkretisht juristja A.K., duke kryer veprime për pasurinë Lirim Xhametës i ka hapur rrugë regjistrimit të një prone në emër të tij në lagjen nr.15 të Durrësit, pra në Spitallë.

Ndërsa juristi Mikel Zaho dhe ish-zv/drejtuesi Leonard Kadrimi dukshëm me veprimet e tyre kanë lejuar tjetërsimin e mëtejshëm të pronës. Rezulton se ata nuk kanë respektuar hallkat e përcaktuara administrative, duke përjashtuar të paktën përgjegjësen e zonës dhe drejtuesin e ASHK nga kontrolli i praktikave të sipërcituara.

Në pranga edhe ish-kandidati i për kreun e PS në Durrës

Në pranga ka rënë edhe ish-kandidati për kreun e PS në Durrës, Ardit Kërtusha, 33-vjeç, ish-kryetar i FRESSH.

Kërtusha kandidoi për kryetar të PS Durrës në vitin 2020 dhe më pas u tërhoq nga gara. Më 16 maj të 2022, Ardit Kërtusha i shpëtoi një atentati në një lokal të frekuentuar në zonën e Currilave në Durrës në pronësi të këngëtarit Noizy, ku ai mbeti i plagosur në këmbë.

Atentatori ishte me kapuç dhe me dy pistoleta, ndërsa qëlloi në drejtim të Kërtushës katër herë. Fatmirësisht autorit iu bllokua arma.

Kërtusha ka thënë në dëshminë e tij se autori ka ardhur në lokalin ku po qëndronte dhe e ka plagosur me në këmbë dhe se nuk e priste këtë veprim prej tij.

Pas kësaj, autori është larguar në këmbë, ndërkohë që Këtrusha është dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Kërtusha ka thënë në dëshminë e tij se autori ka ardhur në lokalin ku po qëndronte dhe e ka plagosur me në këmbë dhe se nuk e priste këtë veprim prej tij.

Pas kësaj, autori është larguar në këmbë, ndërkohë që Këtrusha është dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë