Ngjarje

Tjetërsimi i Kopshtit Botanik, Dekani kundër qeverisë: Tërhiqu nga vendimi

Fakulteti i Shkencave të Natyrës është kundër vendimit të Qeverisë që ta kalojë në pronësi të bashkisë së Tiranës të Kopshtit Botanik. Një njoftim për median bëhet e ditur se dekani i këtij Fakulteti, Spiro Drushku pas një mbledhje të jashtëzakonshme ka dalë kundër dhënies në pronësi të Kopshtit Botanik Bashkisë së Tiranës.
Dekanati njofton se bëhet fjalë për VKM-në që mban numrin 510, datë 17.07.2019 “Për kalimin në pronësi, të Bashkisë Tiranë, të disa pasurive të paluajtshme në zonën kadastrale 3292, pra Kopshti Botanik.
“Dekanati shprehet unanimisht kundër këtij vendimi arbitrar dhe në kundërshtim flagrant me VKM–në e datës 15.03.1965 për krijimin e Kopshtit Botanik, i vetmi institucion kërkimor-mësimor në vend në fushën e florës, unikal në llojin e tij në vend dhe si i tillë i shpallur në vitin 1995 si institucion i rëndësisë së veçantë”, thuhet në këtë në deklaratë.
Sipas tyre vendimi cenon rëndë autonominë dhe lirinë akademike, duke rënë ndesh me Ligjin e Arsimit të Lartë.

Dekani i Fakultetit, Spiro Drushku


“Vendimi për kalimin në pronësi dhe administrim të Bashkisë jo vetëm cenon rëndë autonominë dhe lirinë akademike, duke rënë ndesh me Ligjin e Arsimit të Lartë, por dhe do të bënte të pamundur funksionin e këtij institucioni, produkt punës së përkushtuar më se 60 vjeçare të brezave të pedagogëve e studentëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës”, thekson deklarata.
Ata theksojnë se “Përvojat e hidhura të deritashme të Fakultetit të tonë me Muzeun e Shkencave të Natyrës, Departamentin e Bioteknologjisë, “ngrënien” e paradokohshme të një cope nga Kopshti në fjalë së bashku me godinën dykatëshe (dhuratë nga Ambasada Amerikane), për kalimin e Unazës së Re, nuk japin asnjë garanci, përkundrazi, flasin në të kundërt të ndonjë mundësie të realizimit të funksionit dhe misionit të Kopshtit Botanik nga ndonjë institucion tjetër jashtë Universitetit të Tiranës”.

Nga ana tjetër dekanati shprehet se është i hapur për çdo bashkëpunim, që synon mbështetjen dhe zhvillimin e këtij institucioni, pa cenuar funksionin dhe misionin e Kopshtit Botanik. “Shprehemi dhe një herë se kemi qenë dhe jemi të hapur për çdo bashkëpunim me synim mbështetjen dhe zhvillimin e këtij institucioni me vlera unikale kombëtare, në respekt të qëllimit, misionit dhe funksionimit të tij. Në këtë kontekst ne mirëpresim planet dhe investimet e Bashkisë Tiranë, por gjithnjë të dakordësuar dhe pa cenuar funksionin e misionin e Kopshtit Botanik”.
Dekanati citon se kjo deklaratë është hapi i parë dhe zyrtar kundër VKM-së së qeverisë duke besuar në tërheqjen e qeverisë. Ata theksojnë se nëse qeveria nuk tërhiqet, dekanati i Fakultetit të Shkencave të Natyrës do të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm ligjorë për anulimin e VKM-së.

Vendimi i qeverisë i botuar në Fletoren Zyrtare

“Kjo deklaratë është hapi i parë i reagimit zyrtar dhe publik të Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës në kundërshtim të këtij Vendimi, me besim që reagimi i Qeverisë për tërheqjen e tij të jetë sa më i shpejtë. Në të kundërt, ne jemi të vendosur për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për anulimin e kësaj VKM-je në mbrojtje të Kopshtit Botanik, si aset kombëtar kërkimor dhe mësimor i pazëvendësueshëm”, thuhet në deklaratë, duke nënkuptuar edhe çuarjen në gjykatë të këtij vendimi.
Qeveria në mbledhjen e zhvilluar më 17 korrik mori vendimin për të ndryshuar pronësinë e kopshtit Botanik, duke i kërkuar bashkisë, sipas VKM-së, që të mos i ndryshojë destinacionin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë