Politike

Tjetër padi për Veliaj në SPAK, Kryemadhi: Problemet e mia me drejtësinë do shkrihen si shkuma e detit (tregon çfarë iu sekuestrua)

Monika Kryemadhi theu heshtjen të martën në një konferencë të gjatë për mediat, ku fokusin kryesor e mbajti te një tjetër kallëzim për inceneratorin e Tiranës, për të cilin, ajo tha se do t’i shkojë deri në fund qoftë përmes padish në SPAK, por edhe denoncimesh te ndërkombëtarët.

Kryemadhi nuk mundi të shpëtonte nga këmbëngulja e gazetarëve lidhur me disa raportime se asaj dhe familjarëve të afërt u janë sekuestruar disa prova materiale nga SPAK, lidhur me paditë e ngritura ndaj saj.

Kryemadhi i mohoi tre herë raportimet, edhe pse përgjigjet e saj ishin të vakëta.

“Sot ne jemi për inceneratorët. Asnjë pronë e imja apo familjarëve të mi nuk është e sekuestruar. Celulari, send që ka lidhje me kallëzimet e mia. Çdo gjë ka lidhje me inceneratorin e Tiranës. Beteja e inceneratorit të Tiranës është një betejë me një strukturë kriminale qeveritare e mediatike, janë miliona të paguara në portale, në gazeta, në media për të krijuar dezinformim. Nëse kemi vrasës me pagesë për njerëz, kemi vrasës me pagesë për opinionin publik... Të jeni të bindur që çështja e inceneratorit të Tiranës nuk ka për t’ia mbyllur gojën Kryemadhit për asnjë gjë... Kanë lidhje vetëm me inceneratorin e Tiranës nuk është sekuestruar asnjë gjë e familjarëve të mi”, tha Kryemadhi duke shtuar se edhe paraqitja në gjykatë përmes avokatit të saj ka lidhje me kallëzimet e saj për inceneratorin.

“Unë jam politikane dhe ju mirëkuptoj shumë mirë, por çështja e inceneratorit është çështja që i dhemb më shumë Ramës, Veliajt dhe medias që paguhen me inceneratorin e Tiranës... Inceneratori i Tiranës nuk ia lëviz drejtimin as Monikës dhe as njerëzve që punojnë me Monikën, kështu që mos u shqetësoni. Kryemadhi nuk ka për të fshehur asgjë, është libër i hapur. Përkundrazi, kam qenë më shumë... Sot jemi të fokusuar tek inceneratori por problemet që Monika Kryemadhi ka, do të dalin shumë shpejt dhe do të shkrihet si shkuma e valës së detit. Lojën politike dhe strategjinë që unë përdor politikisht dhe teknikisht për të ardhur këtu, është një stil që e mëson gjatë rrugës dhe nuk e  mëson dot përnjëherë...”, iu përgjigj Kryemadhi këmbënguljes së medias.

Më herët ajo u shpreh skeptike për rezultatet që mund të arrijë SPAK, duke nënvizuar - sipas saj - se sistemi drejtësisë është nën kontroll qeveritar dhe “garë midis Edi Ramës dhe Erion Veliajt se kush kontrollon drejtësinë”.

"Duhet të kuptojmë një gjë. Ne kemi votuar reformën në drejtësi me 140 vota dhe kryetari i Parlamentit të asaj kohe, Ilir Meta ka qenë hallka kryesore që çoi votimin e kësaj reforme në unanimitet të plotë. Sot sistemi drejtësisë është komplet nën kontroll qeveritar. Sot kemi garë midis Edi Ramës dhe Erion Veliajt se kush kontrollon drejtësinë. Sot lufta është midis grupeve brenda Partisë Socialiste. Dhe këtë e ndjejnë qytetarët. Kemi një ekonomi informale, që vjen nëpërmjet parave të drogës që nis nga ndërtimet e me radhë. Ne nuk e zbërthejmë dot dhe ju si gazetarë, po SPAK ka mundësinë për ta zbërthyer. Unë nuk do të ndalem. Pavarësisht ka vullnet apo nuk ka vullnet SPAK për inceneratorin e Tiranës. Shkresat aty janë, jam apo nuk jam unë, do të dalë një Monikë tjetër që do ta vazhdojë", u shpreh ajo.

Deputetja e Partisë së Lirisë, firmosi "live" një kallëzim shtesë drejtuar ndaj SPAK-ut për inceneratorin e Tiranës, pasi sipas saj Bashkia e Tiranës ka lejuar një ndërtim pa leje në 15 hektarë tokë.

Më konkretisht, Kryemadhi, përmes pamjeve nga inceneratori i Tiranës, ka treguar se janë zënë plot 15 hektarë tokë nga depozitimi i dherave nga firmat e ndërtimit.

Sipas saj, i gjithë depozitimi është bërë jashtë koordinatave të inceneratorit të Tiranës, duke zënë një sipërfaqe toke pa leje.

Më tej, Kryemadhi thotë se inceneratori ka marrë aq shumë pagesa nga kompanitë e ndërtimit, sa vetëm me depozitimet jashtë kufirit kanë mbushur një sipërfaqe me 15 hektarë sa 30 stadiume "Air Albania"

"Skema e inceneratorëve është një skemë mafioze që vjen e huazuar nga jashtë. Ky denoncim, kjo shtesë kallëzimi që do ta firmos në syrin tuaj, është prej 17 faqesh, me fakte dhe prova se si Bashkia e Tiranës ka lejuar një ndërtim pa leje në 15 hektarë tokë, ka kryer dëm mjedisor, ka ushtruar presion ndaj kompanive të ndërtimit. Është ushtruar presion nga drejtorët e Bashkisë së Tiranës te firmat e ndërtimit. Janë depozituar plehrat jashtë hapësirës së lejes së ndërtimit. Evazion fiskal kanë bërë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Janë blerë edhe media. Këto janë dokumentet që do çoj në SPAK me postë. Letrat në SPAK dorëzohen me postë. Unë u qëndroj kallëzimeve të mia penale", u shpreh Kryemadhi.

"Kontrata koncesionare ka parashikuar penalitete për firmën private, në rast se ajo nuk përmbushte detyrimet. Penalitetet llogariten në bazë ditore, krahas vjedhjes së përditshme me paratë publike që i jepen koncesionarit, vendimi i Edi Ramës dhe qeverisë shqiptare për të justifikuar kontratën koncesionare, ka sjellë një tjetër dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit në masën 8.5 milionë euro. Në kohën kur qeveria shqiptare, kur Bashkia Tiranë, bëhen shumë agresivë ndaj një qytetari që nuk paguan një gjobë makine, apo detyrimet e ujit dhe të dritave, për këtë kontratë koncesionare miliona euro të miqve të tyre, qeveria ka zgjedhur të mos arkëtojë deri më tani asnjë nga penalitetet që koncesionari duhet të paguante", u shpreh ajo.

Në fjalën e saj ajo nënvizoi se kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk “i ka dalë për zot dot, firmës që ka hedhur dhe as pagesave që ka kryer".

Sipas Kryemadhit, Veliaj ka gënjyer në komisionin hetimor për inceneratorët dhe ka udhëzuar në cilësinë e sekretarit politik të Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë, edhe kryetarët e Bashkive Vorë e Rrogozhinë që të mos kthejnë përgjigje ndaj Kryemadhit për pagesat e bashkisë ndaj inceneratorit të Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë