Gazeta Si – Nuk ka shkuar më shumë se barazimi Partizani në fushën e tij, ku sot priste Egnatia. Ka përfunduar 1-1 kjo ndeshje që dhuroi emocione, ndërsa të kuqtë kanë lënë të tjera pikë, pas barazimit të disa ditëve më parë me Vllazninë.

Partizani e pa veten në avantazh shumë shpejt, pas 7 minutash, kur Bintsouka e dërgoi topin në rrjetën rrogozhinase. U duk se do të ishte e lehtë për të kuqtë, por Egnatia do të realizonte golin e vitit në ‘Arena e Demave’. Fernando Medeiros, pas një xhonglimi, i dha topit një trajektore të pakapshme me një gjuajtje nga distanca, duke barazuar shifrat në 1-1.
Në pjesën e parë ndodhi thuajse gjithçka. Rrapaj goditi traversën nga larg, kurse Paulauskas u ndal nga shtylla. Në fundin e pjesës së parë Egnatia fitoi një pernallti me ndihmën e VAR-it. Partizanin e shpëtoi portieri veteran Hoxha, që gryshtoi gjuajtjen e Duamenës.
Në pjesën e dytë skuadra u munduan të gjenin golin e fitores, por nuk patën sukses. Rastin më të pastër e kishte mbrojtësi Sota, i cili, shumë afër portës, goditi jashtë me kokë.
Partizani shkon kështu në 5 pikë dhe ka një ndeshje më pak. Duhet theksuar se skuadra e Zekiç po has vështirësi për të gjetur golin, teksa në tri ndeshje ka shënuar vetëm 2 herë. Egnatia merr vendin e 2-të, me 7 pikë, 3 pikë larg Tiranës kryesuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.