Futboll

Tjetër miqësore ëndrrash, Egnatia luan sot përballë Interit nënkampion Europe

Gazeta Si – Pas Partizanit ndaj Romës, radhën e ka Egnatia për një miqësore luksi, apo miqësore ëndrrash, pasi do të ndeshet me as më shumë e as më pak, por me nënkampionët e Europës: Interin. Një miqësore, që në fillim u mor si një shaka, por sot në mbrëmje do të bëhet realitet për skuadrën rrogozhinase.

Kjo miqësore do të luhet në Itali, në stadiumin ‘Paolo Mazza’ të Ferrarës, në orën 20:00. Lojtarët e Egnatias duan ta shijojnë të gjithë këtë sfidë ndaj Kristjan Asllanit dhe skuadrës së tij. Dhe pritet që trajneri Edlir Tetova t’ua japë këtë kënaqësi të gjithëve atyre që do të ketë në dispozicion.

Stadiumi 'Paolo Mazza', ku do luhet ndeshja Inter-Egnatia. Gazeta Si, 13 gusht 2023

Nga minuta e parë pritet që të zbresin në fushë këta lojtarë: Sherri në portë, Fangaj, Musta, Memolla dhe Malota në mbrojtje, Aleksi, Ahmetaj dhe Fernando në mesfushë dhe në sulm Kasa dhe Isgandarli do të jenë pas Duamenës. Tek Interi pritet që të ketë një fanellë titullari për Asllanin, mesfushorin e Kombëtares.

Ndryshe nga Partizani, që është i impenjuar në kupat e Europës dhe luajti me lojtarët e stolit ndaj Romës, Egnatia do të ketë në fushë më të mirët. Një miqësore si kjo me Interin, nënkampion Europe, mbahet mend për gjithë jetën, edhe pse është një miqësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë