Futboll

Tjetër largim me peshë nga Partizani, Jasir Asani firmos në Hungari

Jasir Asani nuk është më pjesë e Partizanit. Sulmuesi anësor nga Maqedonia e Veriut ka njoftuar ndarjen me klubin e kuq me anë të një postimi në rrjetet sociale. Ky është një tjetër largim me peshë nga skuadra e trajnerit Ilir Daja, pas atij të Erald Çinarit, i cili ka formosur në Turqi.

“Ka ardhur dita t’ju them faleminderit të gjithëve dhe mirupafshim. Ndarjet nuk më kanë pëlqyer kurrë, por futbolli është i tillë, me një fillim dhe një fund. Pas shumë ndeshjesh, suksesesh, dështimesh dhe sakrificash, ju them faleminderit për çdo emocion që më keni dhuruar. Falënderoj të gjithë trajnerët, me të cilët kam punuar, stafin organizativ, magazinierët dhe kujdestarët e fushës e të topave. Ju ma keni bërë gjithçka më të lehtë në aventurën time te Partizani. Shpirti i Partizanit, tifozeria e kuqe do të jetë gjithmonë një kujtim i bukur për mua”, shkruan Jasir Asani.

Asani prezantohet te Kisvarda në Hungari. Gazeta Si, 11 qershor 2021

Sulmuesi doli kampion me Partizanin tri sezone më parë, pastaj kaloi në Suedi në formë huazimi, për t’u kthyer sezonin e fundit sërish në Superiore. Për Asanin ka pasur oferta nga Turqia, por ai ka firmosur tashmë në Hungari me ekipin e Kisvarda, pjesë e elitës së futbollit hungarez. Sot sulmuesi ka bërë edhe prezantimin me ekipin e ri. Për Dajën është një largim që shton problematikën e sulmit dhe klubi duhet të marrë masat sa më shpejt, nëse synohet një përfaqësim dinjitoz në Europë.

Mbyllja e sezonit të fundit nuk ishte ajo që drejtuesit e kuq prisnin. Ata, pasi humbën titullin, janë ende duke u marrë me çështjen e arbitrit Enea Jorgji, i cili akordoi një penallti për Vllazninë në ndeshjen e javës së parafundit, ku Partizani humbi 0-1. Ankesat e klubit kryeqytetas për Jorgjin tashmë kanë shkuar edhe në FIFA.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë