Futboll

Tjetër çmim prestigjoz për Lionel Mesin, zgjidhet ‘Sportisti i vitit’ nga Time

Gazeta Si – Pas ‘Topit të Artë’, ja ku vjen edhe një tjetër vlerësim i madh për futbollin argjentinas që luan në MLS me Inter Majemin.

Lionel Mesi është zgjedhur "Sportisti i vitit" nga revista e njohur Time. Futbollisti që ka fituar gjithçka në karrierë, në nivel klubesh dhe kombëtaresh, shton kështu edhe një tjetër çmim prestigjioz në listën e tij të gjatë të triumfeve. I fundit në këtë listë ishte ‘Topi i Artë’, që ai e fitoi për herë të 8-të.

Mesi është sportisti i 5-të që e fiton këtë çmim, që ka filluar të jepet prej vitit 2019 nga revista e famshme amerikane. Prej vitit 1927 kjo revistë zgjedh "Njeriun e vitit".

Fituesit e mëparshëm të ‘Sportistit të vitit’
2019: Kombëtarja amerikane e futbollit
2020: LeBron Xhejms (basketboll)
2021: Simone Biles (gjimnastikë artistike)
2022: Aron Judge (bejsboll)

Gjatë intervistës së dhënë pas marrjes së çmimit, Mesi ka folur edhe për zgjedhjen për të kaluar në Majemi, kur i skadoi kontrata me PSG-në. "E vërteta është se kisha disa opsione interesante në tavolinë dhe duhej të vlerësoja me kujdes bashkë me familjen time. Opsioni i parë ishte kthimi te Barcelona, por nuk ishte e mundur. U mundova, por nuk ndodhi. Edhe Arabia Saudite ishte një variant që më tërhiqte, sepse kanë bërë shumë për futbollin, por vendosa për Majemin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë