Futboll

Titulli i parë në fushë pas Kovid-19, feston Crvena Zvezda e Stankoviç

Ja ku vjen edhe titulli i parë kampion në fushë në periudhën post-koronavirus. Crvena Zvezda (Ylli i kuq) është shpallur kampione e Serbisë për herë të 31-të në histori, duke i dhuruar trofeun e parë të rëndësishëm si trajner një emri të njohur, ish-lojtarit të Interit dhe Lacios, Dejan Stankoviç. Ky është suksesi i parë i tij në karrierën e trajnerit.

Në Serbi, pas dy muaj e gjysmë ndërprerje për shkak të pandemisë, sot rinisi kampionati i Superligës për të luajtur edhe 4 ndeshjet e mbetura. Por ishte një skuadër që mund t’i mbyllte llogaritë shpejt dhe kështu ka ndodhur. Crvena Zvezda, në një stadium me dyer të mbyllura, ka mundur 5-0 Radin, një ekip tjetër i Beogradit dhe është shpallur kampione para kohe. Ky është titulli i tretë radhazi për skuadrën e trajnerit Stankoviç. Kur kanë mbetur edhe 3 javë nga fundi, Crvena Zvezda kryeson me 72 pikë, e ndjekur nga Partizani i Beogradit me 58 dhe Vojvodina me 56.

Festa e Crvena Zvezdës pas fitimit të titullit. Gazeta Si, 29 maj 2020

Rifillimi i kampionatit ka ardhur në ditën kur Crvena Zvezda ka festuar 29-vjetorin e fitimit të Kupës së Kampionëve. Ekipi serb ka mundur me penallti në finalen e Barit francezët e Olimpikut të Marsejës, më 29 maj të vitit 1991. Atë vit, skuadra nga Beogradi, e mbushur me yje, fitoi edhe Kupën Kontinentale, pasi mundi në finale kilianët e Kolo Kolos 3-0. Një ditë speciale dhe një festë speciale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë