Ndërhyrja në rrjetin e energjisë elektrike të një kompanie private, ka shkaktuar vdekjen e njërit prej punonjësve të saj dhe plagosjen e dy të tjerëve. Në njoftimin e OSHEE thuhet se për shkak të punimeve në një kompani me vendndodhje në autostradën Tiranë-Durrës, dy punëtorë të kësaj firme kanë shkurtuar distancën me linjën 110 kV të OST, çka ka shkaktuar masë. Më tej, sqarohet se ky defekt la pa energji bizneset përgjatë autostradës, zona e Kamzës, Vora dhe Mëzez.
Nga masa elektrike kanë mbetur të plagosur edhe 2 punonjës të tjerë, të cilët po marrin ndihmën mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Siç njofton policia, ngjarja ndodhi rreth orës 12:00 në afërsi të një objekti në rikonstruksion. Të plagosurit janë punonjës të firmës që punonin aty ku ndodhi shpërthimi.
Në njoftimin e saj OSHEE bën me dije se operatori furnizoi stacionin me linjën rezervë dhe aktualisht kanë marrë energji të gjithë zonat e lartpërmendura.
Aktualisht është stakuar për masë vetëm fideri që furnizon me energji zonën pranë kompanisë ku ndodhi shpërthimi, informon OSHEE
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.