Futboll

Tirana zyrtarisht në krizë, Vllaznia i jep goditjen e radhës në ‘Selman Stërmasi’

Gazeta Si – Tirana është zyrtarisht në krizë, kur ka mbetur edhe një javë nga gjysma e parë e kampionatit. E ashtuquajtura ‘Klasikja e Shqipërisë’ është fituar nga Vllaznia, falë një goli me penallti të Bekim Balajt.

Ndeshja e luajtur sot në ‘Selman Stërmasi’ u vendos nga kapiteni i shkodranëve, ish-lojtar i Tiranës, që në pjesën e parë. Kryeqytetasit nuk mundën të shkonin as te goli i barazimit, duke hasur vështirësi të mëdha. Me largimin e Florent Hasanit, tashmë lojtar i Rapid Bukureshtit, skuadra e Ahmatajt vuan shumë për të shënuar.

Në katër javët e fundit Tirana ka pësuar dy humbje dhe ka marrë vetëm dy barazime. Vllaznia në anën tjetër, pas dy fitoreve me Dinamon dhe Tiranën, ka konsoliduar pozitat e saj në 4-shen e parë të renditjes.

U luajt sot edhe derbi mes Teutës dhe Erzenit, që përfundoi në barazim 0-0. Duhet theksuar se durrsakët humbën një penallti në këtë ndeshje me Erando Karabecin. Skënderbeu u mund në fushën e tij nga Laçi, me rezultatin 0-1.

Renditjen e kryeson Egnatia me 37 pikë, plot 5 pikë e shkëputur tashmë nga Partizani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë