Futboll

Tirana sot në transfertën e Kukësit, Partizani përballet me Egnatian rivale

Gazeta Si – Java e 4-t e Superiores vazhdon sot me ndeshjet e dy pretendentëve kryesorë për titullin kampion, Tiranës dhe Partizanit. Bardheblutë luajnë në transfertë me Kukësin, në orën 16:00, kurse të kuqtë presin Egnatian në shtëpi, në orën 18:30.

Tirana ka një shans të mirë për të konsoliduar pozitat e saj në krye të klasifikimit. Me një fitore të mundshme ndaj Kukësit, që këtë sezon është në krizë dhe i ka humbur të tria ndeshjet e mëparshme, skuadra e Orges Shehit do të ngjitej në kuotën e 10 pikëve.

Tirana ka një skuadër të kompletuar. Trajneri Shehi ka alternativa si për formacionin, ashtu edhe për të ndërhyrë nga stoli. Kukësi në anën tjetër ka një skuadër modeste, me djem të rinj. Ardhja e trajnerit Stavri Nica nuk e ka ndihmuar për të shpëtuar nga humbjet.

Partizani ka luajtur vetëm dy ndeshje deri tani dhe ka 4 pikë. Me Egnatian do të jetë një sfidë e vështirë, pasi rrogozhinasit janë një ‘kockë e fortë’, me një grup të mirë lojtarësh dhe me një goleador si Duamena. Për skuadrën e drejtuar nga trajneri Zekiç kjo ndeshje do të tregojë shumë. Kroati i gëzohet rikthimit të Mba nga dëmtimi.

Për ‘Demat e kuq’ ka pritshëmri të mëdha këtë sezon, ku objektivi është ruajtja e kurorës së kampionit. Nëse fiton sot, duke llogaritur edhe ndeshjen e shtyrë me Teutën, Partizani ka mundësi reale për të qenë në një hap me Tiranën rivale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë