Futboll

Tirana shpërdoron avantazhin e dyfishtë në Laç, barazohet në kohën shtesë

Gazeta Si – Tjetër barazim për Tiranën, pas atij në derbin me Partizanin. Skuadra kryeqytetase barazoi 2-2 këtë herë në fushën e Laçit, ku i kishte të gjitha mundësitë të dilte me 3 pikë, pasi e mbylli pjesën e parë në avantazhin e dy golave.

Hasani dhe Abazaj shënuan për skuadrën e Ahmatajt në 45-minutëshin e parë. Laçi reagoi mirë në pjesën e dytë, duke e detyruar fillimisht kapitenin e Tiranës, Filip Najdovski, të shënonte në portën e tij. Në shtesë braziliani Kordeiro barazoi shifrat në 2-2, duke u mohuar fitoren bardhebluve, që mbeten shumë prapa kreut.

Një tjetër barazim u shënua në ndeshjen mes Erzenit dhe Kukësit, e vlefshme për javën e 16-të të Superiores. Asnjë nga dy skuadrat nuk mundi ta gjente rrugën e rrjetës dhe në fund ato ndanë nga një pikë në stadiumin e Rrogozhinës. Barazimi në këtë rast kënaq më shumë kuksianët.

Për javën e 16-të u luajt sot edhe Vllaznia-Dinamo City, ku shkodranët fituan me përmbysje, 3-1. Denison realizoi sapo nisi ndeshja për Dinamon, por Vllaznia barazoi shpejt me Çobën e më pas shënoi edhe dy herë të tjera me Grudën dhe Balajn. Të hënën luhen ndeshjet Teuta-Egnatia dhe Partizani-Skënderbeu. Rrgozhinasit kryesojnë renditjen me 30 pikë, të ndjekur nga Partizani me 30 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë