Futboll

Tirana s’është mall për pazar, distancimi i tifozëve dhe alibitë e klubit

Estrada e Ballshit pushtoi televizionet, gazetat dhe rrjetet sociale pasditen e së enjtes, kur u rishfaq në gjithë dimensionet e saj “gangrena” e vjetër e futbollit shqiptar, trukimi i ndeshjeve. I madh dhe i vogël e mori vesh se Tirana, që kryesonte 0-1 pas pjesës së parë, do ta humbte ndeshjen me Bylisin. Dhe parashikimet, të materializuara edhe në kompanitë e basteve, ishin plotësisht të sakta.

Një histori e njohur shumë e shëmtuar, që Tiranës i njollos emrin e madh që ka dhe momentin e mirë që po kalon, kur pret vetëm matematikën që të shpallet kampione. Teatri i Ballshit bëri bujë dhe drejtuesit e klubit bardheblu nxituan të mbroheshin nga breshëria e kritikave, por thjesht i shtuan disa “autogola” humbjes së turpshme me Bylisin. Tifozët ishin të vetmit që u distancuan dhe madje mbajtën qëndrim për atë çfarë ndodhi në Ballsh, klubi dhe presidenti Halili më kot u përpoqën të gjejnë armiq të padukshëm.

TIRONA FANATICS – “TF nuk mbeshtet në asnjë moment teatrin e shëmtuar apo pazaret personale të ish-presidentit&co… Asnjë gjë e dyshimtë apo asnjë fitore fallco nuk mund të na kënaqë ne… Ne mbështesim pa kushte ngjyrat bardheblu dhe dënojme çdo akt të turpshëm e të dyshimtë të ish-presidentit amator&co… TIRONA NUK ESHTE MALL PER PAZAR!” Ky qështë qëndrimi i tifo-grupit më të madh bardheblu, “Tirona Fanatics”. Nuk ka nevojë për komente, ata distancohen nga “pazaret” me Tiranën dhe i shigjetuari i tyre mbetet Refik Halili, të cilin e quajnë ish-president prej kohësh.

Reagimi i "Tirona Fanatics" pas ndeshjes. Gazeta Si, 3 korrik 2020

KLUBI – Në faqen zyrtare të Tiranës në Facebook u publikua mbrëmjen e së enjtes një qëndrim në lidhje me ndeshjen e Ballshit. Për habi, në këtë qëndrim flitet për një tymnajë dhe dashkeqësi për prishjen e ambientet në klub, madje thuhet edhe se klubi do ndjekë proceduart ligjore për shpifje. “Duke marrë shkak nga situata e krijuar në media kundrejt sfidës Tirana-Bylis, KF Tirana rrëzon poshtë të gjitha akuzat drejtuar saj. Nënvizojmë se klubi kurrsesi nuk mund të bëhet pjesë e asnjë skenari të stisur dhe i qëndron besnik objektivave te sezonit. Të gjitha këto tymnaja krijohen për të prishur harmoninë dhe pozitivitetin që mbizotëron në klub.

Jemi të gatshëm të analizojmë të gjithë situatën dashakeqe dhe mëse të gatshëm për ta ndjekur atë në organet kompetente. Asnjë aludim nuk mund të hedhë poshtë atë objektiv për të cilin ky ekip punon çdo ditë. Ftojmë të gjitha mediet të jenë sa më korrekte në pasqyrimin e materialeve të tyre, pasi klubi ynë do të jetë transparent për gjithçka ndodh në familjen tonë. Tirana do të ndjëkë të gjithë procedurat ligjore për shpifjet e bëra mbi këtë sfidë. Ky proces do të jetë i vlefshëm për të gjithë personat që do të përpiqen të dëmtojnë imazhin e klubit më të madh në vend”, - shkruhet në deklaratën e klubit bardheblu. Një mbrojtje qesharake, sepse pamjet filmike flasin qartë, aq më tepër që të parët që reaguan ishin pikërisht tifozët e Tiranës.

Refik Halili, president i Tiranës. Gazeta Si, 3 korrik 2020

HALILI - Presidenti Refik Halili ishte u përpoq me të gjitha mënyrat të mbrohej direkt pas ndeshjes. Në një farë mënyre, ai pranoi anomalinë e ndeshjes, permendi rotacionin si shkak, më pas ngriti pretendimin se njerëz jashtë skuadre kanë ndikuar në atë që ndodhi në Ballsh. Ndoshta nga hutimi i momentit ai bëri edhe një autogol, duke folur me siguri të plotë për kualifikimin e Tiranës, çka nënkupton se edhe ndeshja e kthimit është “e kopsitur”. Deklarat e tij pas ndeshjes:

“Nuk mund të hidhet baltë e tmerrshme në një moment të vështirë të klubit. Tirana bëri një rotacion të madh dhe të gabuar (habi të bësh rotacion në gjysmëfinale dhe për më tepër kur titullin e ke në xhep). Nuk mund ta hedhin skuadrën tonë poshtë. Do të filloj të bëj një analizë të thellë, një gjykim brenda skuadrës. Të gjitha ndeshjet i kemi marrë me gjak dhe djersë. Nuk po u besoja syve. Ndoshta ndeshja mund të jetë e kapur nga persona të tjerë. Do të bëjmë një gjykim me detaje, nëse aty ka pasur ndonjë kurth për të dëmtuar klubin tonë dhe për të fituar financiarisht.

Pashë diçka që nuk më pëlqente rreth e rrotull, me njerëz që nuk i njoh. Ja vë pak fajin edhe ngarkesës dhe ndryshimeve në formacion. Kur shikoja që Lika priste shumë topa, më bëhej shumë qejfi. S’po arrija të merrja vesh. Kishte një farë tolerimi, nuk më pëlqente. S’dua të ul asnjë lojtar, nuk them që ka njerëz që kanë ndërhyrë nga brenda, por do mblidhet gjithë skuadra dhe do diskutojmë. Nuk i falet t’i ndodhë kjo klubit të Tiranës. E rëndësishme është që nga drejtuesit e klubit kurrë nuk është futur një dollar i pisët. Vetëm këtë vit kam shitur 4 milionë euro prona. Dëmi i atyre njerëzve do jetë shumë i madh, sepse ndoshta nuk u realizua ajo që kanë dashur.

E votëbesoj stafin, do ta fitojmë ndeshjen në Tiranë. Nga Kupa skuadra jonë nuk është eliminuar, do të kualifikohemi, jam i bindur. Do të luajmë me formacionin më të mirë të mundshëm. Nuk ka gjë që nuk dihet në Shqipëri, nuk ka gjë që nuk merret vesh. Jam i gatshëm për gjithçka, nëse kam marrë 1 dollar, pranoj të varem në litar. Kam dhënë 14 milionë euro dhe nuk ankohem, i kam dhënë me dëshirën time. Po e çoj klubin aty ku duhet dhe nuk mund ta lë për 50 mijë euro apo për 300 mijë euro të shkatërrohet. Nuk ka burrë në qiell apo në tokë që të më vërë me shpatulla pas murit”.

Nuk munguan reagimet nga opinioni sportiv dhe drejtues klubesh të tjerë për ndeshjen e Ballshit. Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, e akuzoi hapur Tiranën rivale për atë që ndodhi: “E pa e gjithë Shqipëria se çfarë ndodhi. Çfarë mund të them? Ndodhi ajo që kisha thënë më parë. Tirana e fitoi shumë lehtë ndeshjen në kampionat”, - tha Gjici, duke iu referuar ndeshjes së kampionatit mes Bylisit dhe Tiranës, ku fituan bardheblutë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë