Mungesa të rëndësishme për Tiranën para ndeshjes me Teutën, e vlefshme për javën e 20-të të Superiores. E para është ajo e trajnerit Orges Shehi, i cili është i izoluar në shtëpi pas dyshimeve për infektim nga Covid-19. Në konferencën e sotme për shtyp ka dalë ndihmësi i tij, Edlir Tetova, i cili ka konfirmuar edhe mungesën e disa titullarëve.
Maqedonasi Najdovski është në karantinë, sepse rezultoi pozitiv para pak ditësh dhe Tirana nuk do ta ketë të gatshëm të paktën edhe javën e ardhshme. Mbrojtësi i qendrës është një nga lojtarët më të rëndësishëm në prapavijë për bardheblutë.
“Po, kemi disa mungesa të rëndësishme ndaj Teutës. Shehi është i izoluar, do të kthehet shumë shpejt, kaq mund të them. Torasa është i dëmtuar në gju, Najdovski ka rezultuar pozitiv me Covid-19 dhe Danso është me 4 kartonë të verdhë”, - ka pohuar ndihmëstrajneri i Tiranës, durrsaku Edlir Tetova. Pra, janë 4 mungesat e sigurta për kampionët në ndeshjen e nesërme me Teutën.
Tirana vjen pas humbjes me Kukësin në kampionat dhe nuk mund t’ia lejojë vetes një tjetër hap fals. Kryeqytetasit kanë mbetur prapa me pikë, çka ka vënë në rrezik pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Pavarësisht mungesave, ata janë të detyruar të fitojnë nesër në “Selman Stërmasi”. Po nesër luhen edhe Apolonia-Bylis dhe Laçi-Kastrioti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.