Futboll

Tirana në kërkim të trajnerit të tretë për këtë sezon, dalin kandidatët e parë

Gazeta Si – Tirana e nisi këtë sezon me Orges Shehin dhe e mbylli fazën e dytë me Julian Ahmatajn, por 2024-a pritet që ta gjejë me një tjetër trajner. Do të ishte i treti për këtë sezon, ku skuadra ka pasur shumë oshilacione në rezultate dhe lojë.

Fitorja 0-5 në fushën e Egnatias që kryeson kampionatit duket se nuk i ka konsoliduar pozitat e Ahmatajt. Presidenti Refik Halili, sipas njerëzve pranë tij, po mendon për një trajner të ri, që ta rikthejë Tiranën bindshëm.

Aktualisht bardheblutë janë 11 pikë larg vendit të parë, një diferencë shumë e madhe kjo, ndërkohë që as 4-shja e parë nuk është e sigurt me këtë ecuri, sepse janë disa skuadra që janë pranë me pikë. Për t’i paraprirë çdo të papriture të pakëndshme, në klubin kryeqytetas po shohin mundësitë për një trajner të ri.

Emrat e parë që po qarkullojnë janë ai i Ernest Gjokës, që ka drejtuar disa skuadra në Superiore dhe aktualisht është i lirë. Erbim Fagu, një ish-futbollist i Tiranës, është një alternativë tjetër, por gjithçka për momentin është në kuadrin e fjalëve. Nuk ka ende një pistë konkrete dhe nuk përjashtohet mundësia për ndonjë surprizë, siç mund të ishte Xhovani Kolela, italiani që u shpall kampion me Partizanin sezonin që shkoi.

Deri në rifillimin e kampionatit më 13 janar për Tiranën mund të ketë të reja jo vetëm në merkaton e lojtarëve, por edhe në atë të trajnerit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë