Futboll

Tirana ndryshon strategji, nga ‘Galaktike’ në ‘low-cost’!

Tirana nuk është më ajo e viteve të fundit dhe kjo duket që nga publikimet e saj të njëpasnjëshme, falenderimet për bashkëpunimin e deritanishëm me disa prej lojtarëve ‘yje’ të saj gjatë merkatos së dimrit dhe deri mbrëmjen e djeshme, kur u caktuar trajneri i ri.

Tirana e filloi edicionin me 135 mijë euro rroga në muaj, një grup i madh lojtarësh si për t’iu kundërpërgjigjur Partizanit, që i mori titullin, edhe pse me pikë të barabarta. Por edhe sistemit, që sipas drejtuesve bardheblu, u mohoi titullin e dytë rradhazi kampion. Pararaqitjet e saj në Europë me eliminimin e Dinamo Batumit, por edhe me ndeshjet dinjitoze përballë gjigandit turk të Beshiktashit, të bënin të mendoje se kjo Tiranë do ta mbyllte çështjen e titullit që në dhjetor të 2023-shit.

Megjithatë, pak skema me ‘Final Four’, apo problematikat e ndryshme financiare, e gjetën Tiranën me dy trajnerë në gjysmën e parë të sezonit. U largua Orges Shehi pas 2 vite e 8 muajsh dhe u emërua drejtori i akademisë si trajner i parë, Julian Ahmataj.

Kalojnë pak muaj dhe mbrëmë, në hotelin e grumbullimit të ekipit përpara ndeshjes së parë çerefinale të Kupës së Shqipërisë, presidenti Halili së bashku me pjesën tjetër të stafit drejtues, i shkoi Julian Ahmatajt me trajnerin e ri, Erbim Fagu. Jo se nuk ndihej në ajër një atmosferë ndryshimi, por edhe deri në këtë pikë pakkush e kishte menduar, ku trajnerit aktual t’i prezantohet zëvendësi i tij në mënyrë të tillë surprizë, në grumbullim!

Ahmataj konsiderohet si i familjes dhe për këtë arsye është menduar një rrokadë e tillë ‘transparente’, apo deri diku edhe ‘brutale’.

Si për të zbutur mërzitjen e shkarkimit, Julian Ahmatajt i është propozuar posti i drejtorit sportiv, atë që mbante prej kohësh Tefik Osmani, por që ende nuk i është përgjigjur ofertës. Nga sot, në mbledhjen para ndeshjes së Kupës së Shqipërisë, pankina iu besua Erbim Fagut.

Një ish i Tiranës, si lojtar dhe trajner moshash, një djalë i ri me pasion dhe me pak eksperiencë për të drejtuar një ekip të rriturish dhe për më tepër me presionin e ekipit më të suksesshëm në vend. Atij i del përpara një punë shumë e madhe, përpos asaj profesionale edhe fakti që i duhet për të qenë lider i një skuadre dhe një kampionati ‘skemash’ si Superliga.

Gjithsesi, një nga arsyet e ndryshimit të Ahmatajt dhe caktimit të Fagut ka të bëjë edhe me qetësimin e atmosferës brenda dhomave të zhveshjes. Burime brenda skuadrës tregojnë për një komunikim dhe një marrëdhënie jo shumë miqësore trajner-lojtarë kohët e fundit dhe si rrjedhojë, duke i shtuar edhe mungesën e rezultateve, u bë një ndryshim i tillë.

Prapavija është edhe diçka tjetër që dalëngadalë po merr formë te Tirana, një ekip ‘low-cost’. Pa shumë emra, pa rroga të papërballueshme që kanë krijuar shpesh borxhe e bllokime merkatoje (Tirana e ka të bllokuar sot merkaton për 3 periudha, janar 2024, verë 2024 dhe janar 2025). Dhe kur deri në fund të sezonit mjafton vendi i katërt për të luftuar në fund për titullin, ndoshta Fagu, me 22 lojtarët që ka në dispozicion, ku rreth gjysma janë ish-lojtarët e tij, pasi vijnë nga akademia, mund t’ia dalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë