Futboll

Tirana me ëndrrën zvicerane, një hap larg grupeve të Ligës së Europës

Tirana luan sot në mbrëmje ndeshjen që e ndan nga grupet e Ligës së Europës, ku do të shkonte për herë të parë në histori. Luan në shtëpinë e kampionëve të Zvicrës, Jang Bojs, një skuadër e fortë dhe që niset favorite në letër, por futbolli rezervon surpriza dhe Tirana do të tentojë një të tillë në Zvicër.

Kampionët e Shqipërisë kanë udhëtuar dje drejt Zvicrës dhe gjatë pasdites kanë kryer edhe seancën e fundit stërvitore në stadiumin e Bernës, ku trajneri Emanuel Egbo ka dhënë udhëzimet e fundit për të tijtë. Tirana pritet të luajë thuajse me atë formacion që përballoi Crvena Zvezdën. Punën më të madhe pritet ta ketë mesfusha, veçanërisht dyshja Batha-Çelhaka, që duhet të ndihmojë më shumë mbrojtjen, por edhe sulmin.

Trajneri Egbo gjatë seancës së fundit stërvitore. Gazeta Si, 1 tetor 2020

Në sulm do të jetë katërshja e zakonshme me Kale, Torasa dhe Kobinah në mbështetje të Muçit. Për portën ka një dilemë mes veteranit Ilion Lika dhe kosovarit Visar Bekaj, i ardhur gjatë merkatos, me të parin të avantazhuar. Në mbrojtje pritet të jenë Vangjeli, Hoxhallari, Toshevski dhe Najdovski. Një alternativë mund të jetë edhe Ismajlgeci për krahun e majtë. Ndeshja do të gjykohet nga arbitri rus, Karasev.

Tirana kaloi në Ligën e Europës pas eliminimit nga Liga e Kampionëve. Kampionët e Shqipërisë u favorizuan nga shorti dhe kaluan direkt në fazën e “Play-off”-it, ku shorti e vuri përballë Jang Bojsit, një skuadër që ka thyer dominimin e Bazelit në Zvicër. Kundërshtari nuk ka yje në përbërje, por luan me një disiplinë të fortë taktike dhe ka një gjendje fizike shumë të mirë, aq më tepër që e ka nisur kampionatin kombëtar. Kompanitë e basteve nuk i japin asnjë shans kualifikimi Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë