Futboll

Tirana mbetet një “përbindësh”, Kukësin e shpëton Abazaj dhe… fati

Mes dyshimeve, temperaturave të larta dhe rregullave të reja, Superiorja ka rinisur kampionatin e ndërprerë 3 muaj më parë. Një “provë” e kaluar me sukses, duke qenë se ishte një situatë krejtësisht e panjohur për të gjithë, jo vetëm nga koha e gjatë e shkëputjes, por edhe nga fakti që duhet zbatuar një protokoll strikt sa i takon higjienës dhe rregullave të tjera për të mbrojtur shëndetin e futbollistëve.

Para ndeshjes Bylis-Tirana ka pasur kaos, pasi përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë që monitoronte situatën, pretendonte se kishte një shkelje të protokollit me zhvillimin e kësaj sfide. Ai i referohej faktit se një lojtar i Bylisit kishte rezultuar pozitiv dhe ndeshja nuk mund të luhej sot, për në një moment tjetër. Më pas gjithçka u sqarua mes tij dhe zyrtarëve të FSHF-së dhe ndeshja u luajt. Po ashtu, edhe në Vlorë ka pasur dyshime, sepse katër lojtarë të Vllaznisë kanë pasur temperaturë më të lartë se 37 e gjysmë, që ata e kanë justifikuar me qëndrimin në vapë në autobus. Atyre u është matur 3 herë temperatura dhe pastaj janë lejuar të luajnë.

Nga ndeshja Kukësi-Luftëtari, 2-1. Gazeta Si, 3 qershor 2020

Tirana kryesuese ka fituar 1-3 në Ballsh dhe rinis kështu edhe më e sigurt marshimin drejt titullit kampion. Kobinah, Batha me penallti dhe Muça i dhanë një trepikësh të rëndësishëm skuadrës së Egbo, që shkon 56 pikë dhe ruan distancën e 9 pikëve me Kukësin. Ishin me shumë fat kuksianët dhe trajneri Shehi, pasi goli i fitores 2-1 ndaj Luftëtarit erdhi në shtesë nga Kristal Abazaj. Gavazaj, i cili realizoi golin e parë të Superiores pas rifillimit të saj, e kaloi Kukësin në avantazh, por gjirokastritët barazuar me penallti dhe në shtesë ishin pranë golit të dytë, por shtylla u mohoi një pikë, që për ta do të ishte plotësisht e merituar.

Laçi dhe Teuta, një sfidë direkt për Ligën e Europës, barazuan 1-1 dhe ky rezultat u shkon më shumë për shtat durrsakëve. Vllaznia ka fituar 1-3 në Vlorë, duke zhytur më thellë Flamurtarin. Kapiteni Gilman Lika dy herë dhe braziliani Zhunior shënuan golat e shkodranëve në këtë ndeshje, ku ata kanë bërë detyrën, duke ua kaluar tashmë topin drejtuesve të klubit për problemet e fundit që kaluan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë