Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor në kryeqytetin shqiptar mund të mos ketë sjellë sinjale pozitive për hapjen e shumëpritur të negociatave, por ka sjellë zhvillime të pozitive përsa u përket investimeve në rajon.
Mikpritësi i këtij samiti, kryeministri Edi Rama drejtoi takimin e udhëheqësve rajonalë bashkë me Komisionerin e Zgjerimit, Oliver Varheyli duke u bërë thirrje homologëve të bëjnë më shumë për bërë është radha e Ballkanit të punojë së bashku drejt së ardhmes europiane.
Bisedimet mes kryeministres serbe Ana Bërnabiç, kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, presidentit malazez Milo Đukanović, kreut të Bosnjës, Zoran Tegeltija dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti u zhvilluan prapa kamerave. Megjithatë, konferenca e përbashkët e kryeministrit Edi Rama dhe komisionerit Varheley ofroi një dritare për çështjet e diskutuara në samit.
Rama e nisi konferencën duke thënë se është i lumtur që komisioneri e hoqi maskën e Brukselit në Tiranë, duke mos e fshehur se ndër çështjet më të rëndësishme të diskutuara ishte nisma e Mini-Shengenit Ballkanik, i cili duket se është zëvendësuar me tregun e përbashkët rajonal, i cili është bërë tanimë pjesë e procesit të Berlinit
Varhelyi tha se Bashkimi Europian e mbështet këtë plan të përbashkët të Ballkanit Perëndimor dhe është i gatshme të dhurojë fonde, të cilat do të përkthehen në investime për këtë rajon. Komisioneri ka bërë me dije se bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor sjell një plan prej 30 mld eurosh investime, plan i cili do të financohet nga BE.
Ai tha ndër të tjera, se përmbushja e këtij plani, do të sjellë të tjera të mira Ballkanit, ku përfshihet, kalimi i kufijve vetëm me karta ID, njohja e diplomave universitare dhe formimi i një tregu të përbashkët.
"Shohim rezultatet që po ndryshojnë jetën e qytetarëve, për marrëveshjen pa tarifa, në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Kjo është arritje tepër e madhe, sepse do të ketë gjëra të mëdha, sepse njerëzit do të lëvizin me karta ID, njohja e diplomave. Ne jemi të gatshëm të rikonfirmojmë angazhimin tonë, që kemi vënë në tryezë me planin e investimeve. Pra pothuajse rreth 30 mld euro do të vijnë në Rajon. "Nuk ka kuptim për të punuar më shumë për këto hekurudha nëse trenat do të hasin vështirësi. Kështu që ky plan ekonomik dhe investimesh do të japë rezultatet e tjera, nëse ky rajon, punon për tregun rajonal. Lajmi që unë solla është se kemi një marrëveshje në BE, për financimin e këtij plani. Kemi arritur këtë marrëveshje me KE, për programin. Kjo do të jetë mekanizëm që do të financohet ky plan, jemi të gatshëm edhe për fondet për të bërë këtë plan dhe ne duam që ky plan të vendoset sa është e mundur në veprim”, tha komisioneri.
Drejtuesit e shteteve të Ballkanit diskuan për projektet në rajon të përfituara në kuadër të Procesit të Berlinit. Samiti ka për qëllim të diskutojë mbi vijimin e integrimit të rajonit, duke u bërë një analizë për infrastrukturën ndërlidhëse në Ballkanin Perëndimor.
Megjithatë, Varhelyi nuk dha sinjale pozitive për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke thënë se unionim po punonte përmes diplomacisë së heshtur por se ishte ende herët për të folur.
“Kem shumë çështje mbi tryezë. Ne në BE dëshirojmë të organizohen konferencat ndërqeveritare me Serbinë dhe Malin e Zi, që ato të nisin negociatat. Duam gjithashtu që të zhvillohen konferenca te para ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pra, ky muaj, ky vit, mund të jetë vërtetë muaji ose viti i Ballkanit Perëndimor”, tha komisioneri Varhelyi.
I pyetur nëse Shqipëria do të sakrifikohet edhe këtë herë, për shkak të problemeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Varheyli u shpreh se ky muaj është kritik. "
Është qershori i këtyre vendimeve, do duhet të merren këto vendime. Ne po punojmë vërtet fort, edhe në këto momente, pas kuintave. BE dhe KE janë të përkushtuar të gjejnë zgjidhje, por është ende shumë herët për të thënë se çfarë do të ndodhë. Ne duam që kjo gjë të ndodhë', deklaroi komisioneri
Kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria mbetet e palëkundur se projekti i Shengenit rajonal është një projekt strategjik me përfitime sociale, ekonomike dhe politike për rajonin tonë. Po ashtu ai deklaroi se i kanë kërkuar BE që karta e gjelbër digjitale e Ballkanit të njihet edhe BE.
Teksa theksoi se me Hungarinë është rënë për lëvizjen e lirë pa detyrime ekstra, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se sot të gjitha vendet i kanë paraqitur Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian që karta e gjelbër digjitale të një qytetari të rajonit tonë të njihet në të gjithë hapësirën e Bashkimit Europian.
Samiti po zhvillohet në Pallatin e Brigadave po drejtohet nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama, si dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe është shumë i rëndësishëm pasi vjen vetëm 2 javë para vendimit të pritshëm në Bruksel për nisjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në takim kanë marrë po ashtu pjesë, Sekretarja e Përgjithshëm e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, Emir Djikic, Drejtor i Sekretariatit të CEFTA dhe Ljuba Siljanoska, Zëvendës Drejtore e Sekretariatit të Përhershëm të organizatës së Traktatit të Komunitetit të Transportit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.