Futboll

Tirana europiane mbetet gjysmake, lojtarët pa kontratë refuzojnë stërvitjen

Tirana nuk ka kohë për të pushuar, sepse shumë shpejt nis aventura në Ligën e Kampionëve për kampionët e vendit. Për këtë arsye, skuadra kryeqytetase është grumbulluar sot në Pogradec për t’u përgatitur për ndeshjet europiane, por ky grumbullim ka nisur me probleme.

Trajneri Emanuel Egbo e ka pasur skuadrën gjysmake, sepse ata futbollistë, të cilëve u ka përfunduar kontrata me klubin, nuk kanë pranuar të dalin në stërvitje. Dhe në këtë grup futbollistësh përfshihen “senatorë” të skuadrës si Kristi Vangjeli, Erjon Hoxhallari, Tefik Osmani, Idriz Batha, Erando Karabeci dhe Edon Hasani. Këta futbollistë kërkojnë së pari të takohen me presidentin Refik Halili për kontratën e re dhe pastaj, nëse bien dakord, do t’i bashkohen skuadrës në Pogradec.

Tirana gjatë një seance stërvitore. Gazeta Si, 8 gusht 2020

Ndryshon situata për Erando Karabecin, i cili, sipas të gjitha gjasave, i ka dhënë lamtumirën Tiranës pas 10 vitesh si bardheblu dhe shumë kohë kapiten i skuadrës. Edhe Edon Hasani duket larg Tiranës, ndërsa sulmuesi anglez Majkëll Ngo është një çështje më vete sa i takon vazhdimit me fanellën bardheblu. Sulmuesi ka kushtet e veta për të rinovuar, ndërkohë që menaxheri i tij ka bërë me dije se Tirana nuk ka bërë ende asnjë ofertë konkrete.

Nga skuadra është larguar tashmë edhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Albi Doka, i cili ka kaluar në Kroaci. Zëvendësuesin e tij Tirana e ka gjetur shpejt, ka marrë maqedonasin Kristijan Toshevski. Po ashtu, bardheblutë kanë bërë edhe dy përforcime të tjera, që janë sulmuesi Albijon Ajeti dhe mbrojtësi Ardit Toli. Megjithatë, mungesa e titullarëve të përmendur më lart në stërvitje është një problem i madh për trajnerin Egbo. Tirana pret të mësojë emrin e kundërshtarit në turin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë