Sport

Tirana e Superiores merr formë, bardheblutë dalin në stërvitjen e parë

Ishte një vit i vështirë për Tiranën dhe tifozët e saj, ndoshta më i vështiri në histori. Por ai sezon në purgator është hedhur pas krahëve tashmë dhe Tirana është rikthyer në kategorinë Superiore. 2017-2018 është “viti zero” për skuadrën bardheblu dhe përgatitjet kanë nisur me kohë. Çdo gjë nisi aty ku ishte lënë sezoni në kategorinë e parë, me konfirmimin e trajnerit Ze Maria që cilësohet shumë i rëndësishëm në këtë projekt të ri të Tiranës. Më tej u vazhdua me afrimin e disa lojtarëve cilësorë nga brenda dhe jashtë vendit.

Stërvitja  e parë

Pamje nga stërvitja e Tiranës ditën e hënë

Por vetëm ditën e hënë, kryeqytetasit kanë nisur zyrtarisht përgatitjet, duke dalë në seancën e parë stërvitore për këtë sezon. Nën urdhërat e trajnerit brazilian, Ze Maria nuk ka qenë i gjithë grupi i lojtarëve. Të pranishëm në këtë stërvitje kanë qenë vetëm 15 lojtarë të ekipit të parë. Nuk është specifikuar shumë arsyeja se përse në fushë kanë zbritur vetëm 15 futbollistë, por zëra pranë klubit thonë se ende nuk janë konfirmuar kontratat e disa lojtarëve, por edhe sepse një pjesë e futbollistëve janë ende me pushime. Në pamjet e publikuara nga vetë klubi bardheblu përmes rrjetet sociale, atmosfera në skuadër duket të jetë goxha pozitive, çka është një element shumë i rëndësishëm në prag të kampionatit.

Merkato

Mbrojtësi Eni Imami gjatë prezantimit te Tirana

Tirana në këto javë ka bërë disa afrime në merkato, duke marrë lojtarë të spikatur nga skuadrat e tjera në Superiore që mund të rrisin vlerat në gati të gjitha repartet. Por edhe disa prurje me shumë eksperiencë nga kampionatet jashtë vendit kanë firmosur me 24 herë kampionët e Shqipërisë. Por përtej afrimeve të shumta në këtë merkato, drejtuesit bardheblu janë kujdesur shumë që të ruhet boshti i sezonit të kaluar, që pritet të jetë sërish bërthama e skuadrës edhe për vitin që vjen. Vlen të theksohet se merkato e Tiranës deri më tani nuk e ka lënë shumë të kënaqur trajnerin Ze Maria, i cili i ka shprehur kërkesat e tij, por që në ditët në vijim priten zhvillime. Një nga emrat më të folur për të veshur fanellën bardheblu këto ditë ka qenë edhe shkodrani Edon Hasani. Pas një eksperience jo shumë pozitive në Iran, Hasani pritet të rikthehet në Superligë, por mungon ende zyrtarizimi. Ndërkohë te klubi kryeqytetas po vijon të punohet për afrimin e një sulmuesi që mund të ndihmojë Majkëll Ngo në repartin e avancuar. Sakaq vijon të jetë e hapur dera për futbollistët afrikanë te Tirana, që në dy vitet e fundit ia kanë dalë që të marrë rezultate shumë pozitive nga këta futbollistë, mjafton këtu të përmendim rastet Maveje dhe Setambu.

Përveç kësaj, tek bardheblutë merkato vijon të jetë e hapur edhe për elementet e veçantë në moshë të re brenda dhe jashtë vendit, të cilët në të ardhmen mund të kthehen edhe fitimprurës në merkato për klubin.

Një nga sfidat e mëdha të Tiranës në këtë sezon të ri futbollistik do të jetë edhe afrimi me tifozerinë ultras ‘(Tirona Fanatiks), e cila pas rënies nga kategoria pati një reagim shumë të keq kundër presidentit Refik Halili, duke i kërkuar atij largimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë