Futboll

Tirana dhe Vllaznia me humbje në merkato, Partizani zyrtarizon Herald Markun

Ditët e fundit kanë qenë aktive sa i takon merkatos së ekipeve të Superiores. Shumë largime fillimisht dhe tani disa afrime të rëndësishme, veçanërisht në skuadrat që marrin pjesë në Kupat e Europës.

Deri në këtë moment, me humbje në merkato janë Tirana dhe Vllaznia, që kanë humbur pjesë të rëndësishem të formacionit. Tirana ka mbetur thuajse pa mesfushë, pas largimit të Torasës, Bathës dhe Kale, ndërkohë që zyrtar është edhe largimi i mbrojtësit veteran Kristi Vangjeli. Të gjithë këta lojtarë ishin titullarë sezonin që shkoi. Dhurata e vetme për trajnerin Shehi deri tani në merkato është qëndrimi i sulmuesit Taulant Seferi.

Kale dhe Torasa, dy nga të larguarit nga Tirana. Gazeta Si, 17 qershor 2021

Vllaznia, pjesëmarrëse në Ligën e Konferencës, ka nënshkruar me një mbrojtës malazes, Bulatoviç, por nuk do të ketë më pjesë të saj Herald Markun, Isaevskin dhe Imerin, tre nga lojtarët më të dalluar të sezonit që shkoi. Pozitiv është konfirmimi i trajnerit Bërdariç, por largimet e përmendura më sipër, plus dhe të disa lojtarëve të stolit, e kanë dobësuar skuadrën.

Ndryshe është situata te Partizani, që ka rikuepruar disi ditët e fundit në merkato. Të kuqtë humbën Çinarin dhe Asanin, por kanë firmosur me dy lojtarë të rinj, Emiljano Mustën dhe sot me Herald Markun. Janë dy lojtarë që i shtojnë ndjeshëm kualitetin skuadrës së Dajës. Po ashtu, me klubin e kuq ka rinovuar Jurgen Bardhi dhe priten të tjera lëvizje.

Herald Marku me fanellën e Partizanit. Gazeta Si, 17 qershor 2021

Laçi ka bërë disa afrime, por i janë larguar Musta, Xhixha dhe Albion Marku, tre titullarë të sezonit të fundit. Teuta ende nuk ka bërë ndonjë goditje në merkato, por vetëm disa largime. Dinamo ka prezantuar sot trajnerin Bledi Shkëmbi dhe është gati të prishë ekuilibrat në merkato, pasi synon të ndërtojë një skuadër me pretendime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë