Futboll

Tirana dhe Partizani, gjoba të rënda nga Disiplina për dëmet e shkaktuara në ‘Air Albania’

Gazeta Si – Klubet e Tiranës dhe Partizanit nuk i kanë shpëtuar as këtë radhë gjobës nga komisionet e Disiplinës dhe Etikës në FSHF pas derbit. Por këtë gjobat do të rëndojnë më shumë në arkat e këtyre klubeve, sepse komisionet e FSHF-së janë treguar më të ashpër.

Për shkak të sjelljes së gabuar të tifozëve, ndezjen e falakadanëve dhe dëmtimin e ambienteve të stadiumit ‘Air Albania’, Tirana është gjobitur me 400 mijë lekë (të rinj), kurse Partizani me 300 mijë lekë. Janë gjoba gati dyfish më të larta në krahasim me më parë. Të dy klubet duhet të bëjnë pagesat brenda 15 ditësh.

Vendimet kryesore të Disiplinës
Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke ndezur flakadanë dhe duke dëmtuar ambientet e stadiumit “Air Albania”, si dhe lejimin e personave të paautorizuar për të hyrë në fushë pas ndeshjes, dënohet me gjobë në masën 300.000 lekë. Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në “Air Albania” brenda 15 ditëve.

Lojtari i Partizanit, Gjelbrim Taipi, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë, duke ndezur flakadanë në fushë pas përfundimit të ndeshjes, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë.

Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushë, ndezur flakadanë dhe duke dëmtuar ambientet e stadiumit “Air Albania”, dënohet me gjobë në masën 400.000 lekë. Tirana urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në “Air Albania” brenda 15 ditëve.

Besa, për mosmarrjen e masave paraprake te sigurisë, duke neglizhuar përmbushjen e detyrimeve për organizimin e ndeshjes, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë