Futboll

Tirana bën gati shampanjën e titullit, Partizani e ka vendimtare në Ballsh

Një fitore e mundshme sot në mbrëmje ndaj Kukësit rival do ta shpallte Tiranën kampione të Superiores, për herë të 25-të në historinë e saj. Dhe shanset janë të mëdha që kjo ndeshje, e vlefshme për javën e 32-të të kampionatit, të mbyllet me fitoren e bardhebluve, të cilët kanë bërë gati shampanjën dhe fushekzjarret. Diferenca me Kukësin do të shkonte në 12 pikë 4 javë para fundit të kampionatit.

Në fakt, për t’u zyrtarizuar kampione e vendit Tiranës do t’i duhet të fitojë 3-0 sot në mbrëmje. Fitoret e tjera të Tiranës, me më pak se 3 gola diferencë, do të bënin që kësaj skuadre t’i duhej edhe një pikë në 4 ndeshjet e mbetura për të certifikuar titullin. Në kampin bardheblu, pas akuzave për manipulim të ndeshjes së Kupës me Bylisin, janë mobilizuar për të reaguar fuqishëm, edhe pse asgjë nuk e fshin atë teatër të turpshëm të Ballshit. Tirana ruajti për ndeshjen e sotme sulmuesiun kryesor, Majkëll Ngo, ndërsa te Kukësi ka probleme me sulmin, pasi Vasil Shkurtaj ka pësuar një dëmtim serioz. Është një mungesë me shumë peshë për skuadrën e Shehit. Kukësi ka shansin e fundit për të rihapur garën e titullit dhe për këtë i duhet vetëm fitorja.

Tirana feston fitoren në ndeshjen e fundit me Kukësin. Gazeta Si, 6 korrik 2020

Një javë vendimtare është kjo për Partizanin, aktualisht në vend të 6-të dhe në një garë të egër me Laçin dhe Teutën për Ligën e Europës. Të kuqve të trajnerit Sormani u duhet me çdo kusht të fitojnë në fushën e Bylisit për të mos u shkëputur nga rivalët për garën europiane. Ecuria e javëve të fundit ka qenë pozitive për Partizanin, por transferta me Bylisin është një provë e vërtetë force. Ende nuk është gati mbrojtësi Belica, i cili pritet të kthehet për derbin me Tiranën.

Nga një ndeshjes mes Partizanit dhe Bylisit. Gazeta Si, 6 korrik 2020

Në mbrëmje vonë, në orën 20:45, luhet ndeshja Teuta-Skënderbeu. Teuta e Edi Martinit, në një formë të shkëlqyer këto javë, ka në favor faktorin fushë, si dhe faktin që kundërshtari ka probleme me grupin e futbollistëve. Skënderbeu vjen pas dy humbjesh radhazi dhe trajneri Ilir Daja përsëri do të ketë mungesa në formacionin titullar.

Superiore, java e 32-të
Sot, ora 17:45
Tirana-Kukësi
Bylis-Partizani
Ora, 20:45
Teuta-Skënderbeu
Dje
Laçi-Flamurtari 2-1
Luftëtari-Vllaznia 0-1


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë