Futboll

Tirana bën afrimin e tretë, një sulmues finlandez për Deden

Klubi i Tiranës ka zyrtarizuar sot përforcimin e tretë në merkaton dimërore. Kampionët në fuqi kanë marrë sulmuesin finlandez Tim Vayrynen, me të cilin është firmosur një kontratë për një 1.5 vjet. Futbollisti 27-vjeçar vjen nga kampionati i vendit të tij, ndërkohë që është pjesë edhe e kombëtares së Finlandës.

“Tirana njofton goditjen e re të transferimeve, Tim Vayrynen. Ai firmosi sot, duke u zyrtarizuar si lojtar i Tiranës. Sulmuesi 27-vjeçar vjen nga Finlanda dhe do të jetë pjesë e bardhebluve për 1 vit e gjysmë. Një emër i njohur për kampionatin finlandez dhe pjesë e Kombëtares finlandeze. Tim vjen nga skuadra e Helsinkit”, - shkruhet në njoftimin e klubit bardheblu për afrimin e radhës.

Më parë Tirana ka nënshkruar me sulmuesin e Kombëtares, Taulant Seferin, si dhe me afrikanin Jocelin Behiratche, një mbrojtës që i shërben më tepër të ardhmes. Seferi debutoi në ndeshjen me Kastriotin, ku u aktivizua në pjesën e dytë. Ndeshja e radhës për Tiranën është derbi me Partizanin, që zhvillohet ditën e enjte. Tashmë trajneri Nevil Dede ka një sulm të kompletuar dhe mbetet për t’u parë se cilat do të jenë zgjedhjet e tij për derbin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë