Orges Shehi, ish-trajneri i Skënderbeut dhe Kukësit, ka marrë përsipër të drejtojë Tiranën në këtë moment shumë të vështirë. Mes klubit kryeqytetas dhe trajnerit durrsak është arritur akordi dhe tani pritet vetëm zyrtarizimi dhe prezantimi i tij para skuadrës. Halili deklaroi pas largimit të Dedes se nuk do merrte një opinionist si trajner, por nuk e ka mbajtur fjalën.
Ardhja e Shehit në krye të Tiranës duket një zgjedhje e drejtorit Tefik Osmani, pasi të dy kanë luajtur në një ekip për shumë vite, te Partizani dhe Skënderbeu. Kandidatë të tjerë për stolin bardheblu ishin edhe Bledar Devolli dhe Armando Cungu. Shehi drejtoi Kukësin sezonin që shkoi, kurse para dy sezonesh Skënderbeun. Pak kohë më parë ishte drejt kalimit në Kosovë, te Prishtina, ndërsa tani merr drejtimin e kampionëve në fuqi, por një situatë aspak komode.
Tirana vjen pas disa rezultatesh zhgënjyese dhe duhet të shpëtojë sezonin. Nuk do të jetë aspak e lehtë. Para së gjithash, Shehi duhet të kthejë besimin në dhomat e zhveshjes bardheblu, ndërkohë që mbetet për t’u parë raporti i tij me presidentin Refik Halili, i cili ndërhyri në zgjedhjet e trajnerit të fundit, Nevil Dede.
Orges Shehi, i cili është trajneri i tretë i Tiranës në këtë sezon, ka një karrierë shumë të pasur si futbollist. Durrsaku ka luajtur për Teutën, Bylisin, Vllazninë, Partizanin, Besën dhe Skënderbeun, ku fitoi gjithçka edhe si kapiten i skuadrës. Shehi gjithashtu ka qenë edhe pjesë e Kombëtares shqiptare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.