Njerez

Tina Turner, nga dhuna në familje deri te vdekja e dy fëmijëve. Jeta e torturuar e mbretëreshës së Rock’n Roll

Nga Gazeta Si - Muzika në zi. Dymbëdhjetë albume në 40 vjet karrierë me mbi 200 milionë disqe të shitura. Mbretëresha e rock and roll-it, Tina Turner, emri i vërtetë Anna Mae Bullock, u shua në moshën 83-vjeçare.

Artistja jetonte që nga viti 1994 në Zvicër dhe ishte tërhequr nga skena në vitin 2009.

E dashur për publikun e gjerë, ajo shquhej për ironinë dhe autoironinë: “Duhet të ndalem me veshjet seksi dhe gjithë ato lëvizje, nuk dua të bëhem gjyshja e rokut”, deklaroi ajo para se të tërhiqej. Pavarësisht karakterit të saj të fortë dhe reagues, këngëtares së “The Best” i është dashur të përballet me disa momente mjaft të vështira.

Vitet e fundit është përfolur gjendja shëndetësore e artistes së madhe. Në vitin 2014 ka qenë vetë zëdhënësi i këngëtares ai që ka mohuar kategorikisht zërat se artistja ka pësuar goditje në tru. Lajmi kishte dalë në gazetën gjermane “Express”. Lajmi ishte i vërtetë ndërkohë që daton në vitin 2017 kur burri i saj Erwin Bach i shpëtoi jetën, duke i dhuruar një veshkë. Tina Turner vuante nga presioni i lartë i gjakut që në vitet 1970, por ajo e trajtonte veten gjithmonë me ilaçe homeopatike, pa sukses.

“Nuk do t’i kisha zëvendësuar kurrë ilaçet e mia me alternativa homeopatike, nëse do ta dija se sa të larta ishin interesat për mua – kishte deklaruar këngëtarja. – Falë zgjuarsisë sime, arrita në një pikë ku për mua ishte çështje jete apo vdekje”. Në vitin 2022 një zi e rëndë goditi Turnerin: djali i saj Ronnie Turner vdiq në dhjetor nga kanceri. Më parë, Craig më i madhi kreu vetëvrasje në vitin 2018.

Por kjo nuk është e gjitha. Jeta e Tina Turner u shenjua nga divorci i prindërve të saj, më pas martesa e saj me Ike Tuner me të cilin ajo formoi dyshen historike të suksesshme muzikore Ike & Tina Turner. Një marrëdhënie shumë e vështirë “një përmbledhje abuzimi dhe frike”, siç tha vetë Tina. Nga historitë e përgjakshme që vetë artistja shkroi në autobiografinë e saj në vitet në vijim, një përshkallëzim rrahjesh dhe përdhunimesh e kishin shtyrë të ikte nga Ike dhe të dilte nga humnera në të cilën kishte rënë.

Këngëtarja kaloi shtatë vjet me përndjekje dhe manipulime, përpara se të rilindte falë takimit me Roger Davies, ish-menaxherit të Olivia Newton-John, dhe albumit të vitit 1984 “Private Dancer”, i cili e futi atë në muzikën botërore si një këngëtare solo të suksesshme dhe mbi 20 milionë disqe të shitura. Në vitin 1986 emri i saj shfaqet në Hollywood Walk of Fame. Pjesa tjetër është histori me këngë të paharrueshme si “The Best”, “We Don't Need Another Hero”, “What's Love Got To Do With It” dhe “Goldeneye”, kolona zanore e filmit të 17-të të James Bond, shkruar nga Bono i U2. Tina Turner bashkëpunoi edhe me shokun e saj Eros Ramazzotti të paharrueshmen “Cose della vita” (1998).

Artistja kishte vendosur të largohej nga skena në vitin 2000, pas publikimit të albumit të saj të fundit “Twenty four seven”, por më pas u rikthye për të performuar në skenë në vitin 2008 për “Tina!: 50th Anniversary Tour”. Pasi u fikën përfundimisht dritat e vëmendjes, këngëtarja do të vazhdonte të jetonte në Zvicër së bashku me partnerin e saj Erwin Bach, menaxherin gjerman të Emi-t, me të cilin do të martohej në vitin 2013.

Tre muaj pas martesës së saj ajo pëson një atak në zemër. Falë besimit budist dhe këmbënguljes së saj ajo ngrihet përsëri në këmbë. Deri në transplantin e veshkës dhe sëmundjen e fundit që e konsumoi. Shembull për shumë gra që kanë kaluar kohë të vështira, ikonë për shumë artistë dhe muzikantë, Tina Turner do të mbetet një figurë e pashlyeshme në imagjinatën kolektive me këmbët e saj të bukura, flokët e një gruaje të egër dhe të lirë, por artistja do të mbetet mbi të gjitha një shembull force për të gjithë: “Në jetë më duhej të kujdesesha për veten time. Gjithmonë, që nga fillimi, – deklaroi ajo – më duhej të dilja në botë dhe të bëhesha e fortë për të zbuluar misionin tim në jetë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë