Futboll

Timo Verner arrin akordin me Çelsin për 10 milionë euro në sezon

Goditje e madhe e Çelsit, që duket se ka fituar konkurrencën me të paktën tre klube të mëdha europiane për sulmuesin gjerman, Timo Verner. Interi dhe Liverpuli kanë qenë pranë futbollistit të Lajpcigut, por sipas “Bild”, do të jetë Londra destinacioni i ardhshëm për këtë sulmues.

Gazeta e njohur gjermane bën të ditur se sulmuesi ka arritur një akord me klubin londinez për firmosjen e një kontrate deri në vitin 2025, nga e cila do të përfitojë 10 milionë euro në vit. Javët e ardhshme pritet që Çelsi të paguajë klauzolën e prishjes së kontratës së Verner me Lajpcigun, duke derdhur në arkën e klubit gjerman shifrën e 60 milionë eurove.

Në Gjermani nuk kanë më dyshime për të ardhmen e Timo Verner. Ka qenë një lëvizje surprizë kjo e Çelsit, që afron në gjirin e tij sulmuesin e kombëtares gjermane, duke i dhënë fund kështu edhe telenovelës së parë të merkatos së verës. Verner ishte një ndër lojtarët më të kërkuar të momentit, por tashmë klube si Interi, Liverpuli dhe të tjerë, duhet të shohin për emra të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë