Trend

TikTok, aplikacioni kinez që po shqetëson Perëndimin

Me kërkesën e tij, shefi i rrjetit kinez TikTok u prit të martën më 10 janar në komisionin e Brukselit për të kuptuar më mirë të gjitha kërkesat rregullatore të Europës.

TikTok prej kohësh është në qendër të vëmendjes dhe aktualisht është pjesë e dy hetimeve në Europë.

Njëri lidhet me një shkelje të mundshme të rregulloreve për mbrojtjen e privatësisë së fëmijëve, tjetri me një transferim të diskutueshëm të të dhënave personale të përdoruesve në Kinë. Këto dy hetime do i kushtonin shumë kompanisë në çdo rast.

Ky aplikacion, i cili është shumë i pëlqyer nga të rinjtë, po dënohet gjithnjë e më shumë, veçanërisht në Gjermani dhe Francë, për ndikimin e keq që ka, sidomos tek të rinjtë.

Republikani Mike Gallagher ka kërkuar që aplikacioni të ndalohet në Amerikë ose të merret nën mbikëqyrje nga amerikanët. Përdorimi i tij në administratë është ndaluar në rreth njëzet shtete amerikane dhe tani është i ndaluar në administratën federale. Është e vështirë të imagjinohen masa të tilla drastike në Amerikë. Së pari, nuk ka asnjë llogari zyrtare të TikTok në nivel të institucioneve të Brukselit. Pastaj, aplikacioni është i zakonshëm, si çdo aplikacion tjetër, pse ka kaq urrejtje kundrejt tij?

Presidenti Macron akuzon rrjetin se i bën të varur adoleshentët dhe në të njëjtën kohë ai vetë ka një llogari në TikTok ku transmeton video të aktivitetit të tij si kreu i shtetit.

Ditën e martë europianët kishin disa mesazhe për të përcjellë: së pari për mbrojtjen e të dhënave, një parim i shenjtë dhe shumë i rregulluar në Europë. Pastaj është përmbajtja e aplikacionit: gjuha e urrejtjes, përhapja e terrorizmit, pornografia e fëmijëve. Katër komisionerët e thirrur këmbëngulën në këto pika specifike duke i kujtuar shefit kinez rregulloret europiane që aplikacioni duhet të respektojë.

Qoftë në Europë apo në Shtetet e Bashkuara, a duhet të kemi frikë nga TikTok?

“Kombësia” e tij kineze natyrshëm e bën atë të dyshimtë në sytë e amerikanëve dhe europianëve. TikTok ka pranuar se ka spiunuar gazetarët perëndimorë, për më tepër, rregullat e tij të moderimit janë të ndryshueshme. Gjithsesi, TikTok shqetësohet sepse suksesi i tij është fenomenal. Është ndër pesë rrjetet më të njohura në botë. Me një miliard abonentë deri më sot jashtë Kinës, një e katërta e tyre janë në Europë. Nga perspektiva amerikane, TikTok është kali i trojës i Kinës, gati për t'u bërë, sipas Mike Gallagher, "grupi më i fuqishëm mediatik në Shtetet e Bashkuara".

Paraardhësi, Facebook, aktiviteti kryesor i grupit Meta, ka peshë shtatë herë më shumë. Prandaj, TikTok ka ende një rrugë të gjatë për të bërë përpara se të arrijë hapin me gjigantët amerikanë, por rritja e tij e llahtarshme e bën atë një vektor të fuqishëm. Tendencat po përhapen si zjarri në këtë rrjet dhe markat e mëdha kanë filluar të largohen nga rrjetet e vjetra për të blerë gjithnjë e më shumë reklama në TikTok. Është më pak i kushtueshëm dhe gjeneron më shumë lidhje direkte, më shumë klikime, sesa në rrjetet e tjera dhe ndoshta gjithë kjo e sqaron faktin pse perëndimi “ka frikë” nga aplikacioni kinez.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë