Trend

Tik-Tok trend kërcimi në botë, por në Shqipëri u kthye në urrejtje mes të rinjve

Të rinj që paragjykojnë të rinjtë. Kjo ndodhi kur Tik-tok mbërriti në Shqipëri dhe shumë individë u bënë pjesë e tij. Tik-tok është një aplikacion që funksionon shumë thjesht, janë të rinj (më së shumti) që bëjnë video duke kërcyer dhe është kthyer në një trend në të gjithë botën.

Por Erta Subashi, një e re që njihet pikërisht nga Tik-Tok, i rrëfen gazetës Si, për anën e errët të këtij fenomeni që ka pushtuar rrjetet sociale.

Erta Subashi

19-vjeçarja si gjithë të rinjtë e tjerë që quhen “Tikotokersa”, bën “lipsinking”, një trend ku dëgjohet një këngë në sfond dhe personi në fjalë kërcen dhe këndon atë këngë. Erta bëri një video si çdo ditë dhe e postoi në Tik-Tok.  Por ndjekësit e saj vunë re se ajo kishte përmendur fjalën “Nigga”, një fjalë që sipas tyre është “e ndaluar” të thuhet. Pikërsht për këtë, Erta u sulmua nga një numër shumë i madh njerëzish, kryesisht nga të rinj të tjerë.

“Atëherë ishte periudhë e vështirë të them të drejtën”, i thotë ajo gazetës.

Të rinjtë filluan të komentojnë duke e fyer në çdo video që ajo postonte duke e detyruar kështu dhe të mbyllte komentet, ata hapen faqe të tjera vetëm për ta sulmuar, bënë grupe për t’i mbyllur adresën dhe shumë veprime të tjera. Të gjitha këto ndikuan tek Erta dhe familja e saj.

“Kjo situatë ndikoi edhe tek familja ime sepse e dinin se çfarë ndodhi dhe e kuptuan sa e stresuar isha” tha Erta.

E reja tregon se gjithmonë është munduar të jetë e pëlqyeshme nga të tjerët dhe të realizojë video që sipas saj i bëjnë të tjerët për të qeshur dhe përcjellin pozitivitet, prandaj kjo situatë ishte e papritur për të.

“Asnjëherë në fakt nuk kisha pasur atë lloj urrejtje ose mospëlqim nga të tjerët”, tregon ajo.

Erta vazhdon të ketë komente negative dhe fyese në adresën e saj “sidomos nga persona më të vegjël”. Komente që tashmë nuk kanë lidhje me atë episod por vijnë nga njerëz që thjesht nuk pëlqejnë tiktokersat.

Por, pse nuk i pëlqejnë?

“Nuk më pëlqejnë sepse shpenzojnë shumë kohë duke nxjerrë anën e tyre më të keqe. Duken si robotë që bëjnë të gjithë të njëjtën gjë, pa pasur asnjë ide për të bërë një risi, diçka ndryshe” thotë Lekjana.

“Nuk i dua fare. Janë njerëz që pretendojnë të bëhen dikush vetëm duke bërë të njëjtën gjë” thotë Adela një tjetër e re që shpjegon se nuk e pëlqen faktin se ka të rinj që zgjedhin rrugën më të shkurtër për t’u bërë dikush.

Sa dyer hapen nga Tik-Tok?

Samet Shahini është një tjetër Tiktoker, mjaft i njohur nga të rinjtë tregon për Gazetën “Si” se Tik-tokun e ka hapur në fillim për të praktikuar kërcimin pasi e ka pasur hobi gjithmonë. Më pas filloi të bënte video me tiktoker të tjerë dhe u bë i njohur.

Sameti tha se, pasi kaloi pak kohë, ka filluar të ketë benefitet e para nga ky aplikacion.

“Mu hapën shumë dyer drejt fushave të ndryshme të televizionit, projekteve dhe bashkëpunimeve të ndryshme, madje më janë dhënë përparësi dhe në gjëra që më parë nuk kisha mundësi të merrja pjesë, kështu që u bë diçka e rëndësishme sepse kaloi nga një aplikacion për hobi në një mjet pune.” tha Sameti.

Për sa i përket paragjykimeve, ai na tregoi se ka pasur shumë në fillim, njerëz që e ofendonin në çdo postim që ai bënte apo dhe që i dërgonin mesazhe fyese, por ka arritur ti kalojë të gjitha këto pa u prekur pasi “mesazhet pozitive dhe mbështetëse kanë qenë më të rëndësishme për qëllimin.”

Samet Shahini

Gazi, një i ri që e shfaqi hapur “urrejtjen” që ka për të gjithë ato që përdorin Tik-tok, tregon se, sipas tij, një aplikacion i tillë nuk duhet të ekzistojë pasi është diçka që ka ndikuar negativisht në shoqërinë shqiptare.

“Vetëm pse bën një kërcim si gjithë bota, për disa sekonda, një i ri bëhet i famshëm dhe fillon të ketë një karrierë. Është absurde!” thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”



Lajme të lidhura


Më Shumë