Futboll

Tifozët s’respektojnë distancimin social, ndeshja ndërpritet 14 minuta

Rregullat janë rregulla dhe duhen respektuar. Asnjë tolerim në Danimarkë për tifozët gjatë finales së Kupës. Para ndeshjes Alborg-Sonderjyske ishte arritur akordi që në shkallët e stadiumit të ishin të pranishëm 1450 tifozë të të dyja skuadrave, të shpërndarë në sekatorë të ndryshëm për të respektuar distancimin social.

Ishte eksperimenti i parë pas ndeshjeve të luajtura me stadiume bosh për shkak të pandemisë së Koronavirusit. Por në “Blue Water Arena” të Esbjergut jo gjithçka shkoi sipas parashikimeve, sepse pas 30 minutash lojë grupimi i ultrasve të Alborgut nuk e respektoi më distancën prej 2 metrash dhe ndeshja u ndërpre.

Tifozët u grumbulluan njësoj siç ndodhte para Koronavirusit, duke kënduar dhe duke kërcyer në shkallët e stadiumit. Pavarësisht kërkesës së trajnerëve dhe tifozëve të tjerë për të respektuar rregullat, ata vazhduan të qëndronin bashkë, duke e detyruar arbitrin ta ndërpriste ndeshjen për 14 minuta. Më pas, rreth 50 tifozë u nxorrën jashtë stadiumit, madje disa prej tyre u arrestuan nga policia, sepse nisën të hidhnin sende të forta.

Ndeshja rifilloi pas ndërprerjes 14-minutëshe dhe Alborgu u mund 2-0, me dy gola të Anders Jakobsen. Për Sonderjysken ky ishte trofeu i parë në histori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë