Futboll

Tifozë njëri mbi tjetrin në Francë, shpërthejnë polemikat

Ishte një mbrëmje për t’u mbajtur mend debutimi i francezëve të Renes në Champions League ndaj Krasnodarit, po kjo ndeshje ka krijuar edhe shumë polemika që lidhen me tifozët. Pavarësisht momentit të vështirë që po kalon futbolli për shkak të Koronavirusit, në shkallët e stadiumit të Renes dukej sikur po luhej një ndeshje si ato para kësaj periudhe.

Franca veçanërisht është mes vendeve më në vështirësi në luftën kundër Covid-19, megjithatë tifozët e Renes kanë dhuruar spektakël, këtë herë në sensin negativ. Duke lënë mënjanë problemet me rendin publik në rrugë, ku tifozët bllokuan edhe trafikun para ndeshjes, situata në “Roazhon Park” doli jashtë kontrollit dhe nuk bëhej më fjalë për distancim social.

Tifozët e Renes ndaj Krasnodarit në Champions. Gazeta Si, 21 tetor 2020

Tifozët e Renes ishin ngjitur me njëri-tjetrin, siç duket në foto, madje disa prej tyre edhe pa maskë. Të gjithë të grumbulluar në sektorin e ultrasve, një tifozllëk sikur asgjë të mos kishte ndodhur, çka ka sjellë edhe reagime të forta në rrjetet sociale. Indinjata ishte kolektive dhe kërkohet marrja e masave për të mos parë më skena të ngjashme, të paktën tani për tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë