Rend dhe Ligj

Thjesht procedurë! A do ta zvarrisë Basha hetimin e ri si te “Rruga e Kombit”?

Lulzim Basha refuzoi thirrjen e Prokurorisë për t’u njohur me akuzat dhe marrjen si i pandehur për dyshimet se Partia Demokratike ka lobuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke përdorur si burim financiar para ruse, duke cituar dy nene të Kodit të Procedurës Penale.

Neni i parë që citon Basha në letrën dërguar organit të akuzës është neni 308. Ky nen përcakton kriteret që duhet të plotësojë ftesa e prokurorisë për paraqitje ndaj një personi për të cilin po zhvillohen hetime, që nga gjeneralitetet, data, ora dhe vendi i paraqitjes e deri tek koha se kur i duhet dorëzuar personit nën hetim.

Këtu përcaktohet se personi nën hetim duhet të njoftohet tre ditë para datës së përcaktuar për paraqitje. Ftesa e prokurorisë për Lulzim Bashën në çështjen në fjalë e plotëson këtë kriter. Ajo u dorëzua më datë 12 qershor, pesë ditë më parë e plotësuar së bashku me kriteret e tjera. Por, sipas kreut të Partisë Demokratike, ftesa është e pavlefshme, pasi nuk plotëson pikën 3 të nenit 308, që thotë se “ftesa duhet të parashtrojë në mënyrë të përmbledhur edhe faktin që rezulton nga hetimet e kryera deri në atë moment” nga ana e Prokurorisë.

Ky është neni i parë me të cilin Basha refuzon paraqitjen në prokurori. Neni tjetër i përmendur në letrën e tij është neni 128, saktësisht pika A e tij. Në këtë nen përcaktohet pavlefshmëria absolute e akteve të prokurorisë. Pikërisht duke cituar edhe këtë nen të Kodit të Procedurës Penale, Gjykata e Lartë mbylli hetimet ndaj Lulzim Bashës për akuzën e shpërdorimit të detyrës gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Transporteve, me një kosto të paktën prej 230 milionë eurosh në rastin e “Rrugës së Kombit”.

Vendimi mban datën 10 prill 2009 dhe është marrë nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me kryesues gjyqtarin Spiro Spiro dhe anëtarë gjyqtarët Irma Bala, Perikli Zaharia, Besnik Imeraj dhe Aleksandër Muskaj.

Në kohën që hetohej kjo çështje, Lulzim Basha veç deputet ishte edhe Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, duke gëzuar imunitetin që i jepnin këto funksione. Për këtë arsye, çështja në ngarkim të tij hetohej në themel dhe me juridiksion fillestar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, që sipas ligjit në rastin e hetimeve të zyrtarëve me imunitet, vepronte si gjykatë e shkallës së parë.

Gjykata mori në shqyrtim kërkesën e prokurorisë më 5 dhjetor të 2008, pavarësisht se procedimi penal për çështjen në fjalë ishte regjistruar që më 9 mars të 2007 nga ana e Prokurorisë së Tiranës, pas një interviste të dhënë në median e asaj kohe nga Arben Meçe, ish-zyrtar në Ministrinë e Transporteve. Në atë intervistë ai fliste për një dëm deri në 600 milionë dollarë nga shpërdorimi i detyrës, shkelje të barazisë në tendera dhe korrupsioni ndaj kërkonte që çështja në fjalë të hetohej.

Faksimile e vendimit të argumentuar të 10 prillit 2009 të Gjykatës së Lartë

Për shkak të imunitetit që gëzonte Lulzim Basha, Prokuroria e Tiranës nuk kishte kompetencat ligjore për të hetuar dosjen në fjalë, por vetëm më 13 tetor të 2007, pra gjashtë muaj më vonë ia kaloi këtë procedim penal Prokurorisë së Përgjithshme. Më 15 nëntor të 2007, Prokuroria kërkon autorizimin nga Kuvendi për nisjen e ndjekjes penale ndaj Lulzim Bashës. Kuvendi autorizon Prokurorinë më 27 dhjetor 2007 përmes vendimit numër 152, që prokurorisë iu dorëzua vetëm më 31 dhjetor 2007.

Në Prokurorinë e Përgjithshme, jo vetëm hetimet, por edhe procedurat që duhet të ndiqnin prokurorët e çështjes u zvarritën deri në 24 orët e fundit të parashikuara me ligj. Më 5 dhjetor të 2008 prokurorët Artur Selmani dhe Arben Kraja dorëzuan në Gjykatën e Lartë dosjen në ngarkim të Lulzim Bashës dhe Andi Tomas dhe po në të njëjtën ditë njoftuan personat në fjalë se ishin marrë të pandehur.

Kryerja e gjithë këtyre veprimeve binte ndesh me përcaktimet e Kodit të Procedurës Penale, që sanksionon të drejtën e dhënies së një afati kohor të arsyeshëm për personat e akuzuar për t’u njohur me dosjen në ngarkim të tyre.

Në fakt, prokuroria kishte thirrur disa herë Lulzim Bashën për ta njohur me fashikujt e dosjes në ngarkim të tij, por thirrjet ishin anashkaluar kryesisht përmes arsyetimeve shëndetësore. Ndaj, prokurorët e çështjes thanë se çështja u zvarrit për shkak të mosparaqitjes së Lulzim Bashës dhe avokatëve të tij, megjithëse ata kishin dorëzuar me postë në selinë e Ministrisë së Jashtme tetë volumet e akteve të procedimit penal në ngarkim të Lulzim Bashës.

Faksimile e vendimit të argumentuar të 10 prillit 2009 të Gjykatës së Lartë

Dorëzimi me postë i fashikujve të dosjes në banesë, apo në ambientet e punës të një personi nën hetim njihet nga Kodi i Procedurës Penale, por që të cilësohet i vlefshëm ky veprim i prokurorisë duhet të ndodhë të paktën tre ditë para se dosja t’i dorëzohet gjykatës për gjykim.

Në rastin e Lulzim Bashës, fashikujt iu dorëzuan Lulzim Bashës në zyrën e tij tek Ministria e Brendshme dhe po brenda ditës u morën prej andej duke u lënë tek dëzhurni i Prokurorisë së Përgjithshme. Nga këtu, po brenda ditës u dërguan në Gjykatën e Lartë. Për të justifikuar hartimin e të gjithë këtyre akteve dhe kryerjen e të gjitha këtyre veprimeve brenda të njëjtës ditë, prokurorët dhanë si argument faktin që të nesërmen, pra më 06 dhjetor të 2008, këtij procedimi penal i përfundonte afati ligjor i hetimeve.

Gjykata rrëzoi argumentimin e Prokurorisë dhe vlerësoi se në njoftimin e Lulzim Bashës me akuzat e ngritura ndaj tij, prokuroria nuk kishte respektuar afatet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale. Sipas Gjykatës, koha për ta realizuar këtë ka qenë e mjaftueshme.

Faksimile e vendimit të argumentuar të 10 prillit 2009 të Gjykatës së Lartë

“Kolegji vëren se konstatohet një hapësirë kohore mjaft e gjatë, që nga momenti i dhënies së autorizimit për procedim deri ditën kur nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, me kërkesën e së cilës ishte dhënë ky autorizim, personit nën hetim Lulzim Basha iu dërgua fletë-thirrja për t’u njohur me akuzën. Sikurse del nga akti datë 24.11.2008 “Për njoftimin e akuzës”, kjo vonesë ndodh në një kohë kur vetë përmbajtja e tij, në mënyrë të përmbledhur konsistonte në kryerjen prej këtij personi pikërisht të atyre veprimeve, për të cilat ishte bërë edhe kërkesa drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për dhënien e autorizimit për procedim. Sqarohet se u konstatua gjithashtu që edhe dy aktet e ekspertimit (të cilat, sipas akteve të dosjes, janë aktet kryesore që u administruan pas dhënies së autorizimit për procedim), kishin arritur në Prokurorinë e Përgjithshme shumë kohë para datës së dërgimit të aktit për njoftimin e akuzës – i pari mban datën 18.07.2007, kurse i dyti datën 29.09.2008”, thuhet në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë.

Veç kësaj, Kolegji gjeti me shkelje proceduriale prokurorët e çështjes, që në datat 24 dhe 27 nëntor të 2008 i kanë dërguar Lulzim Bashës dy akte; fletëthirrjen për t’u njohur me akuzën dhe aktin e njoftimit të saj. Basha është njohur me dy aktet pak ditë pasi Gjykata e Shkallës së Parë kishte shfuqizuar një vendim të 6 nëntorit të 2008 të Prokurorisë për të zgjatur hetimet për Andi Toman dhe Armand Telitin, pjesë e procedimit penal ku ishte regjistruar edhe emri i Lulzim Bashës.

Prokuroria Apeloi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, por si në Apel, ashtu edhe në Gjykatën e Lartë, kërkesa e organit të akuzës u refuzua. Për pasojë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerësoi si të pavlefshme veprimet hetimore të prokurorisë pas datës 6 nëntor të 2008, veprime që përfshinin edhe njohjen e Lulzim Bashës me akuzat që rëndonin ndaj tij.

Vendimi i Gjykatës së Lartë, 10 prill 2009

Si përfundim, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë doli me vendimin se prokuroria kishte dështuar të njihte Lulzim Bashën me akuzat e ngritura kundër tij dhe pushoi hetimet me anë të një vendimi unanim të bazuar plotësisht në tre nene të Kodit të Procedurës Penale. Vendimi ishte i formës së prerë dhe u mor më 10 prill të 2009, pak javë nga zgjedhjet parlamentare të atij viti.

Sot, Lulzim Basha i referohet sërish Kodit të Procedurës Penale për të kundërshtuar prokurorinë në lidhje me akuzat për lobimin me para ruse në Uashington. Ashtu si në akuzat për “Rrugën e Kombit”, edhe këtë herë ai shprehet i gatshëm për të dëshmuar pasi prokuroria të plotësojë kërkesën sipas ligjit, megjithëse i konsideron akuzat si plotësisht politike.

Mbetet për t’u parë se cili do të jetë hapi i Prokurorisë së Tiranës, e cila në shkresën e dorëzuar më 12 qershor kërcënon se në rast mosparaqitjeje nga ana e Lulzim Bashës do ta shoqërojë atë me forcë.

Prokuroria nuk ka reaguar deri më tani, ndërkohë që Partia Demokratike pas deklaratës së refuzimit për t’u paraqitur, ka dalë me një tjetër deklaratë ku akuzon kryeprokuroren e Tiranës, Elisabeta Imeraj se po ushtron presion ndaj prokurorëve të çështjes me urdhër të drejtpërdrejtë të Edi Ramës për shoqërimin me forcë dhe arrestimin e kryetarit të opozitës, ndonëse sipas PD, kryetari i opozitës ka konfirmuar vullnetin për t’u paraqitur në prokurori sapo kjo e fundit të zbatojë ligjin për thirrjen e tij.

“Ky presion kriminal përmes urdhrave të paligjshëm të prokurores së kapur Elisabeta Imeraj po ushtrohet me urdhër direkt të Edi Ramës me qëllim për të larguar vëmendjen nga përgjimet e reja që ka paralajmëruar se do të publikojë sot gazeta gjermane BILD. Partia Demokratike paralajmëron prokuroren Imeraj dhe shefin e saj Edi Rama se ky skenar kriminal do të dështojë dhe ata do të jenë përgjegjës direkt për këtë veprim kriminal të paprecedentë të shkeljes së ligjit dhe provokimit ndaj opozitës. Kamikazaja Imeraj nuk do ta shpëtojë dot Edi Ramën. Asgjë nuk e shpëton dot Edi Ramën. As drejtësia e kapur prej tij”, thuhet në deklaratë.

 

Më Shumë