Politike

Thirrjet e europianëve për Vjosën, Rama: Qeveria s’pranon leksione morale se si duhet të sillemi me natyrën

Nga Gazeta Si- Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë, i shpallur Park Kombëtar do të ketë së shpejti edhe odën e mikpritjes së vizitorëve, Qendrën Multifunksionale dhe Stacionet e Informacionit. Ky është projekti më i ri që do t’i shtohet Parkut Kombëtar si një vend takimi, informacioni, dialogu, kërkimi shkencor dhe shkëmbimi midis vizitorëve të ndryshëm.

Në Konkursin Ndërkombëtar të organizuar për këtë qëllim garuan  me idetë e tyre novatore 16 studio të huaja dhe shqiptare, nga të cilat në fazën finale u kualifikuan tre studio prestigjoze: Casanova+Hernandez Architecten; CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO; Ensamble Studio.

Sot, studiot e përzgjedhura prezantojnë projektet e tyre, për të shpallur më pas projektin fitues nga një juri e përbërë nga ekspertët shqiptarë dhe ndërkombëtarë, me pjesëmarrjen edhe të Kryeministrit Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama përmendi thirrjet e europianëve për të mbrojtur Vjosën, duke thënë se dhe në Europë ka pasur lumenj të egër por janë zbutur.

“Sot hymë faktikisht në një fazë të re të konservimit, por edhe të zhvillimit të këtij parku të jashtëzakonshëm kombëtar.  Nuk ka asnjë vend në Evropë të paktën, se bota është shumë e madhe për të folur me siguri që të ketë një park kombëtar, i cili e përshkon gjithë trupin e vendit dhe nga ana tjetër nuk ka asnjë vend në Evropë sot, që të ketë një lum të egër, gjë për të cilën shpesh herë kemi qenë të detyruar t’ua kujtojmë miqve evropianë kur këmbëngulnin se duhet ruajtur lumi i fundit i egër në Evropë që po, patjetër duhet ruajtur, por më parë sesa të na japin ne leksione se si ruhet një lum i egër, duhet të kujtohen që të egër kanë qenë dhe lumenjtë e tjerë të Evropës por ata i kanë zbutur për qëllime, që natyrisht, nuk kanë pasur të bëjnë me mbrojtjen e natyrës”, tha Rama, duke shtuar se leksionet morale për se si duhet të sillemi me natyrën, “qeveria jonë nuk i pranon dot"

"Aq më tepër në një botë ku ndotësit më të mëdhenj dhe burimet më të mëdha të rrezikut për mjedisin, në kushtet e një përpjekjeje globale apo një sfide globale përballë ndryshimeve klimatike, janë në një pjesë të madhe ata që bëjnë edhe moralin më insistues si dhe ushtrojnë, madhe edhe presione të papranueshme ndaj shumë vendeve të tjera që mund të kenë 1001 probleme, mund të kenë 1001 boshllëqe dhe të meta, por nuk e kanë  në kurriz mëkatin e të qenit në klubin e ndotësve dhe shkatërruesve më të mëdhenj të mjedisit në planet” shtoi kryeministri.

Rama tha se ndërtimi i një qendre është një nga vendimet më të mëdha dhe më të guximshme për të ardhmen që një qeveri mund të merrte, duke shtuar se dhe në forumin global të Montreal, ky vendim është konsideruar si një vendim realisht i fortë dhe i admirueshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë