Lajme

Thirrje për terrorizëm, arrestohet ish-komandoja ekstremist

Një ish-komando i ushtrisë është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi dyshohet si një person me prirje terroriste. Ne kanalin e “YouTube”, ai ka postuar video ku shihen dy djemtë e tij të mitur, duke u stërvitur.

Me urdhër të Krimeve të Rënda antiterrori ka arrestuar 29-vjeçarin, lindur në Gjorm të Krujës dhe banues në Tiranë, pasi dyshohet si person me prirje radikale dhe ka nxitur urrejtjen me qëllim kryerje te veprave terroriste.

Erzen Uka, ish-komando i ushtrisë, i cili ka shërbyer në Irak dhe Afganistan është arrestuar nga zyra Antiterrorit në Policinë e Shtetit. Ai ka qenë i proceduar më parë për veprat penale të “Dhunës në familje” dhe “Pengim të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës”.

29- vjeçari me origjinë nga Kruja kishte me shumë se dy vite që hetohet nga Krimet e Rënda. Gjatë kontrollit të banesës se tij, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi fishekësh luftarak.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për veprat penale të “Stërvitja për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë