Parlamenti Europian ka miratuar rezolutën me anë të së cilës bën thirrje për përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Fondin e Solidaritetit për të zbutur pasojat e shkaktuara nga pandemia e Covid-19.
Gjithashtu, në këtë rezolutë mbështetet nisma e Komisionit për të ndihmuar financiarisht gjashtë vendet kandidate për anëtarësim dhe thirrjen për të përfshirë këto vende në prokurimet e përbashkëta të BE-së për materialet mjekësore, përfshirë këtu vaksinën.
Fondi i Solidaritetit u krijua për herë të parë në vitin 2002 si përgjigje ndaj përmbytjeve të mëdha që goditën Europën Qendrore në atë kohë. Që prej asaj kohe, është përdorur në 80 raste duke ndihmuar 24 vende të BE me një vlerë totale që përllogaritet mbi 5 miliardë euro.
Fondi u riaktivizua në mars të vitit të kaluar për të ndihmuar vendet anëtare të BE-së në përballimin e pasojave të krijuara nga pandemia, ndërkohë që deri më tani nuk është përdorur në asnjë rast jashtë unionit.
Sa i takon zgjerimit, PE bën thirrje që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u sigurohet një proces i drejtë dhe i ndershëm edhe përmes investimeve dhe mbështetjes së reformave në drejtim të sundimit të ligjit, pavarësisht pandemisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.