Politike

Thirrja e ndërkombëtarëve: Sherrin bëjeni në shtëpi! Në Europë të jeni të bashkuar

Si raportues për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein duhet të jetë vënë jo rrallë herë mes dy të vërtetave që i janë dorëzuar në tavolinë, një nga mazhoranca dhe një nga opozita për situatën politike në vendin tonë.

I mbërritur në Tiranë pas raportit të Ministrave të Jashtëm të BE-së për çështjen e negociatave me Shqipërinë, eurodeputeti gjerman ka dashur të përçojë një thirrje bashkëpunimi për rivalët politikë në Tiranë. Për ta bërë këtë iu referua një shprehjeje gjermane.

“Ne kemi një fjalë të urtë: Luftoni në shtëpi, por qëndroni të bashkuar jashtë saj”, deklaroi ai.

Fleckenstein ka mbërritur në Shqipëri pas ndalesës në Beograd. Në Tiranë e vlerësoi si pozitiv raportin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm dhe kërkoi që puna të mos ndalet. Mohoi se Shqipërisë i janë shtuar kushtet.

“Ka kushte, por nuk janë kushte të reja. Nuk duhet ndaluar puna deri në çeljen e negociatave. Duhet vazhduar puna me Vettingun dhe duhet një një ligj i mirë për reformën zgjedhore. Qeveria duhet ta përshpejtojë këtë proces. Të gjitha këto nuk janë kushte të reja”, tha ai.

Flecenstein flet për prapaskenat që janë zhvilluar në aksin Berlin-Paris për çështjen e negociatave të Shqipërisë. Vendimin e quan pozitiv, megjithëse vetë ka një dëshirë tjetër.

“Merkel bëri të pamundurën që të bindë presidentin Macron. Urime, por unë do të kisha dashur që negociatat të kishin filluar një vit më parë”, tha ai.

Eurodeputeti gjerman justifikon vendimin e tre vendeve skeptike me zhvillimet e brendshme të Bashkimit Europian dhe jo me ecurinë e Shqipërisë.

“Ato vende që kanë qenë skeptike nuk kanë qenë për Shqipërinë, por kërkojnë më parë reformimin e BE-së”, vijoi ai.

I pranishëm në tryezën e diskutimit ka qenë edhe ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati. Ai u ndal tek reforma zgjedhore, ku tha se jo gjithçka varet nga vullneti i mazhorancës.

“Jemi vetëm njëra rrotë e biçikletës, sepse biçikleta ka dy rrota në këtë drejtim. Duhet dhe rrota tjetër, që është opozita dhe nuk duhet humbur kohë”, u shpreh ai.

Thirrje për bashkim qëndrimesh sa i takon integrimit kërkoi edhe ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.

“Ky proces kërkon që të ketë bashkim. Jo bashkim retorik, jo bashkim në kuptimin e të folurit për objektiva të përbashkëta. Duhet të jetë një objektiv i mirëfilltë kombëtar për të cilën punon gjithkush”, tha ajo.

https://www.facebook.com/petritvasil/posts/1888570088109481

Por, thirrja e Ambasadores së BE-së, të paktën nga një pjesë e opozitës nuk është pritur mirë. Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili komenton në rrjetet sociale dhe e quan ftesën e Vlahutin si të pandershme. Ambasadoren e akuzon si shkatërruese të dialogut politik në vend.

“Sot Vlahutin po kërkon shtrirjen e dorës nga opozita për dialog. A është e ndërgjegjshme se ç'kërkon kjo zonjë, që ka bërë gjithçka që dialogu të mos ekzistojë duke mbështetur verbërisht qeverinë? Vlahutin ka përgjegjësi të mëdha për bllokimin e integrimit europian të Shqipërisë dhe ndihma e fundit, mbase e vetmja ndihmë e dobishme për Shqipërinë do të ishte që Vlahutin të heshtë. Pra hesht Vlahutin!”, deklaron Vasili.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë