Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku ka reaguar pas thirrjes së KLP-së për të nisur hetimin disiplinor ndaj prokurorit Arjan Ndoja, i cili mbeti i plagosur nga atentati në vendin e quajtur “Mbikalimi i Shkozetit”.
Prokuroria e Përgjithshme me anë të një njoftimi për mediat thotë se ka nisur prej dje verifikimi i fakteve të bëra publike në rastin e prokurorit Ndoja, duke sqaruar edhe se ku konsistojnë këto verifikime.
“Prokurori i Përgjithshëm znj. Arta Marku prej ditës së djeshme dt 05.11.2019 ka filluar verifikimin e fakteve të bëra publike në rastin e prokurorit Arjan Ndoja. Verifikimet konsistojnë në mbledhjen e të dhënave për shkeljen e rregullave të papajtueshmërisë me funksionin e magjistratit, parashikuar në nenin 103 shkronja ‘a’ të ligjit 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë përmes një shkrese dërguar kryeprokurores Arta Marku, kërkoi sot të nisë hetimi disiplinor ndaj prokurorit Ndoja, për të zbuluar nëse janë konsumuar apo jo prej tij shkeljet disiplinore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.