Rend dhe Ligj

Theu masën e sigurisë, kapet në Lushnjë “kumbari” i Shkodrës

Arrestohet në Lushnjë biznesmeni 45-vjeçar Bardhok Planaj. Policia bën të ditur se ka ndaluar Planajn, i njohur edhe si 'kumbari' i Shkodrës. Ai ishte lënë në masën e sigurisë arrest shtëpie nga gjykata, të cilën e theu. Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër ushtruan sipas Policisë një kontroll në banesën e shtetasit Bardhok Planaj, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtepi”, por nuk u gjet në banesë. Policia e Shkodrës e shpalli në kërkim dhe pas informacioneve të marra, në bashkëpunim me Policinë e Lushnjës bëri kapjen dhe arrestimin në qytetin e Lushnjës të shtetasit Bardhok Planaj, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Bardhok Planaj, i njohur si "kumbari" i Shkodres


Planaj person me precedent të theksuar kriminal. Policia e shtetit bën të ditur se më datë 03.12.2018 nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër është lëshuar urdhër-ekzekutimi në bazë të vendimit penal nr.1168, datë 29.11.2018, në të cilin është vendosur masa e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Bardhok Planaj për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Falsifikimi i vulave dhe stampave” dhe “Ndërtim i paligjshëm". Pallatin e kishte ndërtuar pa lejen e organeve kompetente në lagjen “Dobraç” të Shkodrës dhe se shteti i bëri sekuestro preventive e godinës 10 katëshe me vlerën 2 milion euro.
Emri i Planajt do të lakohej për herë të parë në vitin 2014, gjatë operacionit policor “Laguna e Vilunit”, ku u sekuestruan gati një ton hashash. Shtatë persona u arrestuan, por Pllanaj arriti t’i shmangej kapjes.
Sipas Partisë Demokratike në atë kohë, për t’iu shpëtuar prangave, trafikanti u fsheh në automjetin e ish-deputetit Mark Frroku, por ky i fundit mohoi akuzat. Sipas burimeve policore, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte vendosur për Planajn masën e “arrestit me burg” për trafik narkotikësh, edhe në maj të vitit 2017, por në rrethana të paqarta rezulton që kjo masë të jetë shuar 2 muaj më vonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë