Sport

Theu kodin e veshjes, francezët kundër Serena Uilliams

I befasoi të gjithë Serena Uilliams në turneun “Roland Garros”, ku u prezantua me një veshje të pazakontë. Tenistja amerikane theu kodin zyrtar të veshjes, duke zbritur në fushë me një luk alternativ, madje edhe pak provokues. Një veprim që u shndërrua edhe në një miniskandal në këtë turne të zhvilluar në maj, por që vetëm ditët e fundit është bërë çështje, pas reagimit të organizatorëve të “Roland Garros”.

Uniforrma “total black” e Serena Uilliams nuk u pëlqeu aspak drejtuesve federalë, të cilët kanë vendosur që ta ndalojnë një veshje të tillë në edicionet e ardhshme. “Duhet respektuar loja dhe vendi”, - deklaroi presidenti federal, Bernard Giudicelli për “Tennis Magazine”. Një vendim që shton diskutimet për temën e veshjes së femrave në sport dhe jo vetëm. “Besoj, – shpjegoi Giudicelli, – se është tejkaluar masa. Uniforma e Serenës këtë vit, për shembull, nuk do të pranohet më. Të gjithë duan ta shijojnë momentin. Emiocionet për gjëra të bukura shijohen në një vend gjithashtu të bukur”.

Veshja e Serena Uilliams në "Roland Garros, që krijoi shumë polemika

Do të ketë një lloj sensure kundër stileve që nuk janë në linjë me shpirtin tradicional të turneut. “Për vitin 2019 është pak vonë, sepse koleksionet tashmë janë dizenjuar, - shton Giudicelli, – por do t’u kërkojmë gjithsesi sponsorëve teknikë të na mbajnë të azhornuar”. Edhe pse Federata nuk ka në plan të vendosë një kod veshjeje strikt si në Uimbëlldon, Serena Uilliams nuk mund të zbresë në fushat e Parisit e veshur si t’i dojë qejfi. Zgjedhja e uniformës së zezë (tuta) duket se është justifikuar prej saj me faktin se e ndihmonte në qarkullimin e gjakut në periudhën pas lindjes.

Vendimi i marrë nga Giudicelli shton debatin për temën delikate të veshjes sportive të femrave në një vend si Franca, ku për shembull Federata e Futbollit i ka ndaluar vajzat të luajnë futboll me perçe, edhe pse është dhënë autorizimi nga FIFA.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë