Lajme

“The Independent”: Si u kthye Shqipëria në “Kolumbinë e Europës”

“Nga një vend i vogël në Kolumbinë e Europës”, kështu e konsideron gazeta prestigjioze britanike “The Independent” rrugën që ka marrë Shqipëria për t’u kthyer në një nga prodhueset më të mëdhenj të hashashit në kontinentin e vjetër.

Shkrimi prej më shumë se 12 faqesh i gjatë, vjen pas një reportazhi të detajuar mbi mafien shqiptare nga një gazetar i njohur spanjoll. Ashtu si David Berianin, edhe “Independent” përshkruan taktikat dhe rolin e organizatave kriminale shqiptare në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Gazeta britanike thekson se autoritetet nisën një përpjekje agresive për çrrënjosjen e drogë në fshatrat e thella me shpresën se po të shkatërroheshin fushat e kanabisit dhe nëse do të bëhej arrestimi i disa kultivuesve, Shqipërisë do t’i lehtësohej hyrja në Bashkimin Europian. Por sipas saj, masat e rrepa i bënë trafikantët që të nisnin një lojë edhe më fitimprurëse dhe vdekjeprurëse për trafikimin e drogës.

“Tani një milion dollarë kokainë mund të fshihet në një çarje të vogël ose në një pjesë të fshehtë të një anijeje peshkimi. Trafikantët shqiptarë përdorin të njëjtat rrjete që krijuan për të lëvizur sasi të mëdha kanabisi për të shpërndarë kokainë nga Amerika Latine dhe heroinë nga Azia Qendrore nëpërmjet Italisë në pjesën tjetër të Europës”, shkruan gazeta britanike, duke theksuar se sikur të mos mjaftonte hashashi, grupet shqiptare janë bërë të famshme edhe për trafikimin e heroinës. “Bandat shqiptare konsiderohet si një nga bandat e heroinës më të mëdha në botë, gjithashtu trafikantë të kokainës dhe kanabisit. Zyrtarë të SHBA-ës dhe të zbatimit të ligjeve europiane e kanë përshkruar Shqipërinë, si prodhuesin më të madh të kanabisit në BE si dhe një pikë e rëndësishmë tranziti për heroinë dhe kokainë”, thotë “The Independent”

Gazeta britanike zbulon të dhëna mjaft tronditëse, duke theksuar se bazuar në vlerën e konfiskimeve të drogës, vetëm marihuana gjeneron deri në 4 miliardë dollarë në vit, gjysmën e PBB-së së Shqipërisë.

"Deti Adriatik tani është një rrugë për trafikun e drogës", thotë për “The Independent” Xhemal Gjunkshi.

Rojet bregdetare, të cilët flasin për gazetën në kushte anonimati , gjatë një aksioni në det, u kanë thënë gazetarëve britanikë që të tregohen të kujdesshëm. “Trafikantët janë të armatosur shpesh me pushkë sulmi, edhe pse ende nuk i kanë përdorur ato kundër nesh” thotë një prej tyre. Vitet 2015 deri në vitin 2016 ishin të tmerrshme, Shqipëria ishte si Kolumbia".

Zyrtarët shqiptarë pranojnë se ata përgjojnë vetëm 10 për qind të dërgesave të drogës brenda dhe jashtë vendit. Një diplomat perëndimor thotë për gazetën se trafikantët kanë pasuri të mjaftueshme për të blerë autoritetet e portit nga Roterdami në Izmir.

“Grupet e sofistikuara shqiptare kanë fituar pushtet sa që kanë rrjet në të gjithë botën”,thekson ai. Është Kolumbia e Evropës, është prodhuesi dhe distributori i drogës në Evropë. Është një narko-shtet dhe ata do të humbnin shumë para duke u larguar nga trafikimi për të hyrë në BE."
Alfons Rrakaj një studiues dhe konsulenti për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor shprehet më tej se bandat shqiptare janë shumë të afta në menaxhimin e rrjeteve në të gjithë botën, nga Amerika Latine në Evropën Perëndimore. “Dhe është shumë e qartë se të gjitha këto banda veprojnë në një nivel të caktuar të mbrojtjes dhe mbështetjes politike dhe policore”, thekson ai.


Sipas “The Independent”, tregtia e drogës është ngulitur në skajin e qyteteve kryesore të vendit, duke përfshirë kryeqytetin, Tiranën dhe qytetet portuale si Durrësi dhe Vlora. “Shqipëria nuk është më një qendër e kultivimit. Është bërë një qendër investimi, shpërndarjeje dhe rekrutimi”, thekson gazeta, e cila sjell në vëmendje edhe rastin e Edison Harizajt. “Atë e quanin "Il Padrino" ose "fytyrëdjeguri", për shkak të shenjave në faqen e majtë. Për vite me radhë Haziraj ishte udhëheqësi i rrjetit të trafikimit të kanabisit në Vlorë, një njeri i cili arriti në krye duke përzënë rivalët me anë të dhunës dhe kërcënimeve, por edhe duke u dhënë ryshfet policisë dhe zyrtarëve për të goditur shtëpitë e sigurta të armiqve të tij dhe objektet e magazinimit. Ai ishte nën hetim për vrasjen e një gjyqtari në vitin 2011 për një mosmarrëveshje pronësore.”.

Sipas gazetës, pas Vlorës, një qytet i dashur nga trafikantët, për afërsinë e tij me bregun Italian, bandat shqiptare i lëvizën operacionet në Belgjikë, Holande dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ata e kthyen biznesin e kokainës dhe heroinës në biznesin më fitimprurës, duke grumbulluar pasuri të mëdha dhe duke ndërtuar lidhje me trafikantët italianë dhe latino-amerikanë”, thekson gazeta, duke shtuar se gjatë 2018-ës, 23 persona të lidhur me tregtinë e drogës u zhdukën nga faqja e dheut, edhe pse trafikantët shqiptarë deri më tani kanë mbajtur një profil të ulët, duke preferuar të mos jenë në qendër të vëmendjes.

Shqipëria ka qenë një qendër e tregtisë së drogës që nga fundi i viteve 1990, kur lufta në ish-Jugosllavi e zhvendosi trafikimin e drogës, makinat e vjedhura dhe madje edhe njerëzit në jug. Vitet 1990 përkojnë gjithashtu me ngritjen e krimit të organizuar, e cila filloi me hapjen e depove të armëve dhe u pasua me një konflikt civil që la 2000 të vdekur dhe u kalua vetëm me ndihmën e 7,000 paqeruajtësve të OKB-së.

“The Independent”shkruan se gjatë viteve të fundit, Shqipëria filloi një përpjekje masive për të zhdukur rritjen e kanabisit, duke monitoruar disa qytete. Nga vitit 2011 deri në vitin 2016, Shqipëria shkatërroi 2.5 milionë bimë marihuanë dhe 5.200 fusha me drogë. Por, ashtu sikurse djegia e fushave të kanabisit në Meksikë i shtyu kartelet drejt tregjeve të kokainës dhe drogave më fitimprurëse, edhe trafikantët e Shqipërisë u kthyen në grupe më të sofistikuara”, shkruan gazeta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë