Eurodeputetët kanë paralajmëruar Shqipërinë se negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian janë në rrezik nëse qeveria nuk “ndryshon kurs” lidhur me planet për ndërtimin e një resorti luksoz të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.
Tineke Strik, eurodeputetja holandeze që drejton misionin faktmbledhës të Parlamentit Evropian në vendin ballkanik, tha se udhëheqja shqiptare “po luan me zjarrin” duke çuar përpara projektin prej 1.4 miliardë eurosh për zhvillim imobiliar, i cili, sipas saj, do të shkaktonte dëme të mëdha në një vijë bregdetare të virgjër.
Kundërshtimi ndaj projektit ka nxitur një valë protestash të paprecedenta, të njohura tashmë si “Revolucioni i Flamingove”, ndërsa janë shtuar thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Në një intervistë për The Guardian, Strik u shpreh:
“Nëse Rama është vërtet serioz për ambicien e tij për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ai duhet të tërhiqet nga kjo rrugë dhe t’i thotë familjes Trump: ‘Më vjen keq, por prioriteti im i parë është Bashkimi Europian.’
Aktualisht, ata po rrezikojnë një proces që për ta është kaq i rëndësishëm… po luajnë me zjarrin.”
Që nga rrëzimi i komunizmit, më shumë se 30 vjet më parë, asnjë politikë tjetër nuk ka gëzuar mbështetje kaq të madhe nga qytetarët shqiptarë sa anëtarësimi në Bashkimin Europian. Vlerësohet se rreth 92% e shqiptarëve e mbështesin këtë objektiv.
Edi Rama, i cili fitoi mandatin e katërt historik në zgjedhjet e vitit të kaluar, është zotuar ta anëtarësojë Shqipërinë, një nga vendet më të varfra të Europës, në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
I inkurajuar nga përparimi në negociatat shpesh të ndërlikuara, ai kishte vendosur si objektiv mbylljen e procesit të anëtarësimit deri në dhjetor të vitit 2027. Zyrtarët e Bashkimit Evropian e kishin mirëpritur këtë afat të vetëvendosur, ndonëse e kishin cilësuar si ambicioz.
Megjithatë, ky afat mund të vihet tani në rrezik nëse Rama këmbëngul të vazhdojë me projektin e mbështetur nga Kushner për zhvillimin e zonave që më parë gëzonin status të mbrojtur mjedisor në jug të Shqipërisë.
Kushner ka folur për krijimin e një resorti gjigant në ishullin e Sazanit, ishulli i vetëm i Shqipërisë, si dhe për ndërtimin përgjatë një pjese të bregdetit të paprekur në gadishullin e Zvërnecit, përballë ishullit. Ai e ka përshkruar projektin si një vend ku do të dëshironte të kalonte pushimet me familjen dhe miqtë e tij.
I alarmuar nga përmasat e projektit dhe protestat që ai ka shkaktuar, Parlamenti Evropian e bëri të qartë qëndrimin e tij muajin e kaluar.
Në një rezolutë, eurodeputetët jo vetëm mbështetën protestuesit, por kërkuan edhe ndalimin e menjëhershëm të ndërtimeve në zonat e mbrojtura. Ata kërkuan gjithashtu shfuqizimin e legjislacionit që u mundësonte “kapitalistëve grabitqarë” të pajiseshin me leje si investitorë strategjikë në rajone të konsideruara si zona të mbrojtura të jetës së egër dhe me rëndësi të veçantë ekologjike.
Duke folur në përfundim të një vizite katërditore që përfshiu edhe zonat e parashikuara për zhvillim, Strik deklaroi:
“Nëse vazhdojnë me këtë projekt, do të kenë një problem të madh me Bashkimin Evropian gjatë negociatave, veçanërisht në Kapitullin 27, ku duhet të përmbushin të gjitha standardet e politikave mjedisore të BE-së. Ndërtimi i një projekti kaq të madh imobiliar në një zonë kaq të brishtë përbën një kërcënim të jashtëzakonshëm.”
Eurodeputetja theksoi se punimet që tashmë janë kryer në gadishullin e Zvërnecit – përfshirë shkatërrimin e pyjeve, dunave të lashta ranore dhe ndërtimin e një rruge me zhavorr rreth 7 kilometra të gjatë – kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe përbëjnë shkelje të qarta të direktivave të Bashkimit Evropian.
Sipas saj, parlamentarët evropianë u ndjenë “të inkurajuar dhe të sigurt” nga qytetarët shqiptarë, të cilët po dalin çdo ditë në rrugë për të mbrojtur vlerat evropiane dhe për të kërkuar llogaridhënie.
Megjithatë, ajo tha se nuk mbetën aspak të impresionuar nga zyrtarët e qeverisë shqiptare. Strik përmendi takimin me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, i cili, sipas saj, la të kuptohej se punimet do të vazhdojnë derisa Shqipëria të jetë e detyruar të zbatojë standardet e Bashkimit Evropian.
Ajo shprehu gjithashtu shqetësim për pretendimet mbi korrupsionin që kanë shoqëruar dhënien e lejeve të ndërtimit dhe shitjen e parcelave të tokës në Zvërnec. Kundërshtarët e projektit kanë denoncuar mungesën e transparencës dhe të debatit publik rreth tij.
“U largova nga takimi i sotëm me përshtypjen se ata synojnë ta vazhdojnë këtë projekt përpara se të detyrohen të harmonizohen me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe kjo, natyrisht, nuk është një mënyrë bashkëpunimi besnik,” tha Strik.
“Ata nuk mund të thonë tani: ‘Le të bëjmë edhe më shumë dëm dhe pastaj do të shohim në fund të vitit të ardhshëm ku ndodhemi.’ Kjo nuk është rruga e duhur dhe ne do t’i kërkojmë Komisionit Evropian ta ndjekë këtë çështje me shumë vendosmëri në raport me qeverinë shqiptare.”
Shqipëria ka fituar mbështetje të gjerë nga eurodeputetët për kandidaturën e saj në Bashkimin Evropian dhe eurodeputetja e GreenLeft tha se është plotësisht në favor të anëtarësimit të vendit.
“Largohem me bindjen se populli shqiptar dëshiron vërtet të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Madje, ata ndihen sikur tashmë i përkasin atij,” tha Strik.
Ajo shtoi se protestat e përditshme nuk kanë të bëjnë vetëm me mbrojtjen e mjedisit, por janë shndërruar në një lëvizje shumë më të gjerë për forcimin e shtetit të së drejtës.
“Shqiptarët po protestojnë çdo ditë sepse duan një demokraci të mirëfilltë dhe kjo vetëm sa e forcon besimin tim në proces dhe në dëshirën e tyre për anëtarësim.
Për atë që nuk jam e sigurt është nëse qeveria shqiptare po i merr seriozisht shqetësimet e qytetarëve të saj, të ne eurodeputetëve dhe të Komisionit Europian. Pikërisht për këtë arsye i kam bërë thirrje të ndryshojë kurs dhe t’i marrë seriozisht qytetarët e vet./TheGuardian
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje