Analize

“The Economist”: Qeveria merr notën 4

Edhe pse ka qenë viti i protestave dhe trazirave, rënia e demokracisë është ndalur për herë të parë në tre vite. Sipas indeksit të revistës së “The Economist”, vetëm 42 vende përjetuan një rënie të vlerave demokratike krahasuar me 89 vende në vitin 2017. Indeksi i Demokracisë së Njësisë së Inteligjencës së “The Economist” vëzhgon 165 shtete të pavarura në pesë kategori: procesin zgjedhor dhe pluralizmi; liritë civile; funksionimin e qeverisë; pjesëmarrjen politike dhe kulturën politike.

Bazuar në rezultatet e secilës kategori, vendet me pas kategorizohen në katër lloje regjimesh: demokraci e plotë, demokraci me probleme, regjim hibrid – mes autokracisë e demokracisë, dhe regjim autoritar.

Edhe pse është përmirësuar me një vend, sistemi politik në Shqipëri, është renditur si një sistem mes autokracisë dhe demokracisë. Për 2018-ën, Shqipëria rënditet në 76-shta, me të njëjtin pikëzim prej 5.98.

Vlerësimin më të ulët vendi ynë e merr për funksionimin e qeverisë me notën 4,71 (në një sistem vlerësimi nga 0-10), duke u renditur me vende të tilla si Ukraina, Bosnja, apo Rusia, të cilat marrin pak pikë në indeksin e funksionimit të qeverisë. Në këtë kategori vendet vendet e tjera të rajonit, si Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia janë rënditur shumë më mirë me nga 5.36 pikë secila.

Revista përcakton se një pikëzim i ulët i këtij treguesi nënkupton që “nëse vendimet e marra në mënyrë demokratike nuk mund ose nuk zbatohen atëherë koncepti i demokracisë nuk është shumë kuptimplotë, por është një guaskë boshe”.

Megjithatë, vendi ynë merr notën më të lartë (7,65) për liritë dhe të drejtat civile. Procesi zgjedhor dhe pluralizmi në Shqipëri për vitin 2017 është 7, pjesëmarrja politike vlerësohet me 5,56, ndërsa kultura politike vlerësohet me notën 5.

Ashtu si në vitin 2016 dhe 2017, funksionimi i qeverisë është kategoria e vlerësuar më dobët, duke treguar se vendi ynë nuk ka bërë asnjë përmirësim në këtë drejtim. Janë pikërisht mosfunksionimi i mirë i qeverisë, parregullsitë në zgjedhje, përhapja e korrupsionit, sundimi i dobët i ligjit apo mospasja e një sistemi gjyqësor të pavarur, ato që bëjnë që vendi ynë të cilësohet si vend me një regjim hibrid.

Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria lë pas Maqedoninë, Malin e Zi dhe Bosnjë Hercegovinën, indeksi i së cilës është 4.89. E para në rajon është Bullgaria me 7.03, e ndjekur nga Kroacia me indeksin 6.57 dhe më pas nga Serbia me 6.41. Kjo e fundit ka pësuar rënie të konsiderueshme në krahasim me një vit më parë.

I njëjti raport bën një vlerësim edhe për lirinë e medias, ku Shqipëria renditet mes vendeve me media pjesërisht të lirë. Liria e medias në Shqipëri nuk ka asnjë përmirësim krahasuar me vitet e mëparshme, duke marrë një vlerësim me notën 7. Ashtu si dhe në vitet e mëparshme, media shqiptare vazhdon të ndikohet nga politika apo biznesi privat.

Sipas Indeksit të Lirisë së Medias, vetëm 30 vende nga 167 të vëzhguara, që përfaqëson 11% të popullsisë së botës-klasifikohen si me media “plotësisht të lira”.

Raporti thekson se cilësia e demokracisë pothuaj në çdo vend mund të vlerësohet nga mbizotërimi i lirisë së fjalës. Shoqëritë që nuk tolerojnë mendimin ndryshe, mospajtimin, investigimin dhe bërjen e pyetjeve nuk mund të jetë kurrë “demokraci të plota”.

Demokracia në botë

Norvegji

Në rang ndërkombëtar, Norvegjia është renditur sërish para si shteti me vlerësimin më të lartë në të gjithë treguesit e vëzhguar. Më pas renditen Islanda dhe Suedia, për tu pasur nga Zelanda e Re, Danimarka dhe Kanadaja. Në fund të klasifikimit ka qenë për këtë vit Siria, e cila vlerësohet me vetëm 1.43 pikë. Ajo renditet pranë Chadit, Koresë së Veriut, Arabisë Saudite dhe Irakut.

Indeksi, i cili vlerëson gjendjen e demokracisë globale në 2018-n, për herë të parë në tre vjet nuk ka shënuar përkeqësim, por gjithsesi ka pasur përkeqësime të dukshme në disa shtete europiane si Italia, Turqia dhe Rusia.

The Ecomomist ngre po ashru alarmin se udhëheqësi i Kinës është i gatshëm të sundojë jetën sociale dhe politike të vendit të tij. Populistët me tendenca autokratike kanë fituar zgjedhjet në Filipine, Brazil dhe Meksikë dhe kanë përmbysur institucionet demokratike në Hungari, Turqi dhe Poloni.

Pjesëmarrja politike u përmirësua më shumë se çdo herë tjetër në indeksin e EIU. Kjo është e vërtetë edhe në demokracitë e përparuara siç janë Shtetet e Bashkuara, ku votuesit janë shumë të pakënaqur. Sipas sondazheve të Gallup nga janari deri në mesin e nëntorit të vitit 2018, përqindja e amerikanëve që miratojnë punën e Kongrest ka rënë mesatarisht me 18%, nga 40% në vitin 2000.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë