Politike

Thaçit i kërkohet pezullimi i taksës: Në NATO, sa më shpejt

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nga Mynihu ku po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë, ka thënë se në takimet e zhvilluara me partnerët ndërkombëtarë, i është kërkuar pezullimi i taksës ndaj Serbisë.

Ai ka thënë se pret hapa konkretë dhe pozitivë, për vazhdimin e dialogut sa më shpejt që është e mundur.

Thaçi është takuar me presidentin serb Vuçiç në prani të Komisionerit Europian të Zgjerimit Johanes Hahn dhe Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk.

“Ka qenë temë takimi edhe taksa. Ishte këshilla e të gjithëve për pezullimin e përkohshëm. Është e pakuptueshme edhe kushtëzimi i dialogut në raport me Kosovën, prandaj pres hapa konkretë dhe pozitivë”, ka thënë Thaçi i pyetur nga mediat.

Presidenti i Kosovës ka thënë se letra e Trumpit për Kosovën dhe Serbinë, është inkurajuese për marrëveshjen finale.

Thaçi shtoi se Shtëpia e Bardhë ka angazhim të theksuar, për përmbylljen e konfliktit Kosovë-Serbi.

“Është shumë inkurajues mesazhi që Trump i dërgon Vuçiçit, për domosdoshmërinë e njohjes reciproke. Shtëpia e Bardhë ka një angazhim të theksuar, të vendosur në përmbylljen e konlfiktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, përfundoi Thaçi.

Duke folur për arritjen e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, Thaçi tha se tani rajoni ka një problem më pak dhe një sukses më të madh.“Tani, pas suksesit mes Maqedonisë dhe Greqisë, rajoni ka një problem më pak dhe një sukses më të madh, por edhe të zgjerimit të NATO-s. Prandaj, synimi jonë si Kosovë, është që të jemi pjesë e NATO-s sa më shpejt, por edhe e Bashkimit Evropian. Mund të them se është një fokus i veçantë për Kosovën dhe mendoj se ky fokus duhet të ruhet, duke prodhuar ne si shtet elemente dhe argumente pozitive, se Kosova po e shënon 11 vjetorin e pavarësisë, me sukses dhe progres”.

Taksa ndaj Serbisë, Haradinaj: Të ndërhyjë Brukseli

Edhe kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj, ka thënë se është i interesuar për një marrëveshje finale Kosovë-Serbi.

Taksa që Kosova ka vendosur ndaj mallrave serbe mund të hiqet vetëm përmes dialogut, ka thënë Haradinaj në Konferencën e Sigurisë, në Berlin të Gjermanisë. Haradinaj ka apeluar kështu Brukselin që të investohet që palët të ulen në dialog dhe të diskutojnë edhe për taksën.

Por Serbia e ka shprehur qëndrimin e saj se në bisedime do të ulen sërish vetëm pas heqjes së taksës. “Në fakt, kam një qëndrim më ndryshe. Nuk duhet të kushtëzohet dialogu, duhet të ulet dhe të diskutohet edhe për taksën. Sepse janë tema që ndërlidhen mes tyre”, ka deklaruar Haradinaj..

Sa i përket korrigjimit të kufijve, kreu i qeverisë tha se një lëvizje e tillë është e rrezikshme, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë por edhe për rajonin.

“Deri tani kemi fol se ç’ka nuk bën, s’bën me lëvizë kufijtë, s’bën më ndryshuar territore, s’bën ‘Dodik Republika’ në Kosovë. Duhet me u bashku të gjithë. Ndoshta është momenti që Berlini zyrtar të marrë iniciativën dhe të ndihmojë palët. Unë e kam pritur dhe e mirëpres një energji të re nga Uashingtoni, por mendoj se janë dy energji të nevojshme. Zgjidhja ideale do të ishte presidenti Trump dhe kancelarja Merkel. Këta dy liderë mund t’i përmbyllin çështjet e mbetura në Ballkan”, tha Haradinaj dhe shprehu dëshirën që këtë vit të arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë